Greqi, 30 muaj burg me kusht dy shoferëve të MPJ-së

18/11/2016 00:00

Gjykata e Janinës ka dënuar në mungesë me 30 muaj burg me kusht për 3 vjet dy shoferët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që u arrestuan disa ditë më parë nën akuzën se transportonin libra me karakter propagandistik kundër Greqisë.

Altin Tafa dhe Agim Asllani nuk kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore. Në gjykatë është paraqitur konsulli i Shqipërisë, Sofokli Vasili, i cili ka kërkuar nga gjykatësi që të përfaqësonte shtetin shqiptar dhe dy të akuzuarit.

Por kjo kërkesë nuk është pranuar, ndërsa i është dhënë e drejta për të deponuar si dëshmitar dhe i është sqaruar se pala shqiptare mund të merrte edhe një avokat mbrojtës.

Gjatë seancës shefja e Doganës së Kakavijës ka thënë se automjeti me të cilin udhëtonin dy shoferët e MPJ-së nuk kishte targa diplomatike, ndaj dhe u krye kontroll i zakonshëm.

“Kur doganierët panë arkat me libra konsideruan se kishin të bënin me mallra tregtare, ndaj dhe kërkuan dokumentat përkatëse. Por  dy personat në fjalë treguan një vërtetim nga MPJ, sipas të cilit ishin dy nënpunës me pasaporta diplomatike dhe po transportonin material diplomatik”, ka treguar drejtoresha e Doganës.

Sipas saj, pasi panë një hartë të Shqipërisë së Madhe tek një prej librave që ndodheshin në një arkë të paambalazhuar, ajo njoftoi rajonin e policisë dhe pas kontrollit u konstatua se dy personat nuk kishin pasaporta diplomatike, por pasaporta shërbimi.

Ende nuk ka një vendim zyrtar të publikuar për ngjarjen në fjalë, ndërsa gjykata ka dhënë urdhër për konfiskimin e automjetit dhe të 1.512 librave, shumë prej të cilëve sipas këtij vendimi kanë pasur referime për kufijtë e Shqipërisë, historisë së Greqisë, por edhe për origjinën e heronjve të vitit 1821.

Top Channel