Raporti për korrupsionin, vlerësim mesatar për luftën e qeverisë. Deputetët, me të kuqe

16/11/2016 00:00

“Transparency International” publikoi raportin për korrupsionin të realizuar nga bisedat me 60 mijë qytetarë në 42 shtete të Europës dhe Azisë Qendrore, ku përfshihen edhe Shqipëria e Kosova. Raporti mbi eksperiencat e qytetarëve me korrupsionin mat perceptimin që ata kanë për fenomenin në vendet e tyre dhe përfshihet në Barometrin Global të Korrupsionit për vitin 2016.

Në Shqipëri, nga data 30 janar deri më 2 mars 2016, “TI” intervistoi 1.500 persona mbi eksperiencat e tyre me korrupsionin në shërbimet publike, në sektorët kyç si Policia Rrugore, lëshimi i dokumenteve, gjykatat, arsimi, shëndetësia, etj., gjatë 12 muajve të fundit.

Ndërsa në 5 pyetjet lidhur me perceptimin e nivelit të korrupsionit në institucione, shqiptarët e pyetur janë përgjigjur se besojnë që deputetët janë më të korruptuarit. Ndërkohë, të anketuarit pranojnë në gati 40 për qind se kanë dhënë rryshfet në të paktën një prej shërbimeve publike që kanë përdorur në 12 muajt e fundit.

Shkalla e perceptimit se si po e lufton qeveria korrupsionin është mesatare për Shqipërinë, e cila radhitet e pesta ndër më të mirat dhe është kapërcyer vetëm nga Zvicra, Suedia, Portugalia dhe Estonia dhe është më lartë edhe se të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin, si dhe shume vende të Bashkimit Europian. Çka mund të shihet si një përmirësim relativ, së paku i përpjekjeve të autoriteteve për ta luftuar korrupsionin.

Kur Barometri Global i Korrupsionit i pyeti qytetarët nëse kanë dhënë parà nën dorë apo dhurata gjatë shfrytëzimit të një shërbimi të caktuar, për Shqipërinë, shkalla e mitmarrjes rezultoi në 34%. Lajm i mirë vjen nga Kosova me një administratë të menaxhuar ende kryesisht nga të huaj, me 10%, që është vlerësuar nga raporti si më e ulëti në rajon. Ndërsa në vendet e BE-së, më e larta ishte në Hungari, Rumani dhe Lituani, me nga 22% deri 29%.

Në Shqipëri duket se edhe perceptimi se tashmë korrupsioni është i denoncueshëm shoqërisht ka një përmirësim pozitiv. 

Për të gjithë vendet e përfshira në anketim, “Transparency International” jep 4 rekomandime kyç: të reduktojnë korrupsionin politik dhe të ndihmojnë njerëzit që të denoncojnë pa frikë. Qeveritë sigurojnë pavarësinë e Gjyqësorit, sidomos në vendet që janë në bisedime për anëtarësim në BE, duke reduktuar ndikimin e Ekzekutivit mbi sistemin e drejtësisë, si dhe të mbështëse e të mbrojë raportuesit e korrupsionit.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel