Abuzonte me të mitur, prokuroria: 5 vjet burg trajnerit të futbollit

14/11/2016 00:00

Ngacmim seksual ndaj minorenëve është akuza për të cilën një trajner i ekipeve zinxhir të futbollit për moshën 17-vjeçare rrezikon dënimin me 5 vjet burgim.

Kaq ka qenë edhe kërkesa e prokurorisë ndaj Sokol Metës, 50-vjeç, i cili sipas hetimeve të prokurorisë ka ngacmuar seksualisht dy djem minorenë.

Përveç dëshmisë së dy sportistëve, prokuroria ka edhe mesazhe telefonike mes të akuzuarit dhe djemve, ku sipas saj shfaqen qartë tendencat e Metës.

Fillimisht denoncimin e ka bërë i pandehuri Meta, që akuzoi dy të rinjtë se e kishin goditur me sende të forta dhe se i kishin marre 60 mijë lekë.

Por pas marrjes në pyetje të minorenëve, këta të fundit treguan me fakte konkrete për ngacmimet e shpeshta të trajnerit të futbollit, i cili, pasi i kishte marrë në makine të dy djemtë ishte futur në një rrugë me barishte pranë fushave të kalçetos tek akuadromi.

Pikërisht në këtë moment, djemtë kanë reaguar dhunshëm ndaj Metës duke e goditur dhe për t’u larguar më pas me vrap. Madje, në raste të tjera ai dilte dhe e priste tek shkolla njërin prej djemve, duke kryer veprime të qarta që klasifikohen si ngacmime seksuale.

Procesi ndaj Sokol Metës, për shkak të natyrës së çështjes, është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa gjykata është në pritje të konkluzioneve të mbrojtjes për t’u shprehur me vendimin përfundimtar.

Top Channel