Shpërthim në uzinën e Ballshit; Vdes një punëtor, 5 të plagosur

10/11/2016 00:00

Një shpërthim i fuqishëm në uzinën e naftës, ka tronditur gjithë qytetin e Ballshit mbrëmjen e së enjtes. Një 42-vjeçar humbi jetën ndërsa 5 punonjës të tjerë u plagosën, njeri në gjendje kritike për jetën.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:45 në repartin tre, ose siç njihet ndryshe, hidropastrimi. Viktima, Shkëlqim Muça, ishte pjesë e këtij reparti, në të cilin punonin 11 persona.

Koha kur ndodhi shpërthimi, ishte edhe orari i ndërrimit të turneve, kurse në të gjithë uzinën ndodheshin më shumë se 300 punonjës. Reparti 3 ose reparti i hidropastrimit ku edhe ndodhi ngjarja, ndodhet në qendër të uzinës shumë pranë repartit të Reaktorit 3, i cili nëse do të përfshihej nga flakët, do të shkaktonte një tragjedi të rëndë për qytetin e Ballshit. Sipas punonjësve flakët pas shpërthimit zgjatën 15-20 minuta.

Sipas punonjësve të uzinës, shkak i këtij shpërthimi mund të ketë qenë bllokimi i valvulës së pompës, defekt i ndodhur edhe disa ditë më parë.

Në mjediset e uzinës përveç prokurorit të çështjes Ndriçim Sina, i cili do të merret me zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje, në ambientet ku ndodhi shpërthimi erdhën edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si dhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

“Inspektorati shtetëror teknik, Policia e Shtetit, të gjitha po kryejnë hetimet përkatëse për të gjetur shkakun real. Nga ajo çfarë kam parë unë me sytë e mi dhe nga informacionet që unë kam marrë, kemi të bëjmë me shpërthimin e një bombole tek reparti i hidrogjenit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ndërhyrja në kohë e mjeteve zjarrfikës, ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërkohë që të plagosurit janë transportuar me ambulanca, fillimisht për në Spitalin e Fierit, ndërsa disa prej tyre janë dërguar më pas për në Tiranë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel