Vlorë, sekuestrohen 103.6 kg kanabis dhe armë pa leje, arrestohet një grua

08/11/2016 00:00

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, policia e Vlorës ka ushtruar kontrolle në disa banesa në fshatin Poro ku ka konstatuar sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike.

Nga kontrollet u sekuestruan 103 kg e 600 gr kanabis si dhe rreth 120 bimë narkotike në proces tharjeje. Nga blutë e Vlorës u arrestua 42-vjeçarja Diana Nasi dhe u shpall në kërkim 45-vjeçari me inicialet H.N.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H.N., Policia ka sekuestruar një sasi me lëndë narkotike me peshë prej 89 kg e 700 gr, të fshehura nëpër 10 qese të zeza plastike, si dhe 90 bimë të tjera në proces tharjeje të llojit Cannabis Sattiva, të cilat u asgjësuan me djegie.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.N, i cili jeton në Itali, por që është nën kujdestarin të 42-vjeçares Diana Nasi, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thes plastik të zi me peshë 12 kg e 700 gr lëndë narkotike, e dyshuar e kanabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Diana Nasit, Policia ka konstatuar:  1 kg e 200 gr lëndë narkotike kanabis në formë boçesh (e sekuestruar), 30 bimë në proces tharjeje të cilat u asgjësuan me djegie, një armë gjahu pa leje dhe 29 fishekë të kalibrit 12 mm.

Top Channel