Cassini në vitin e fundit të jetës

07/11/2016 00:00

Saturni është një ndër planetët më misteriozë të sistemit tonë diellor dhe disa prej këtyre mistereve NASA synon t’i zbardhë në vitin e fundit të misionit të sondës Cassini, para se ta orientojë atë në një mision vetëvrasës në atmosferën e planetit.

Shkencëtarët e agjencisë amerikane të hapësirës shpresojnë që misteri i parë që të zbardhin përmes sondës të jetë ai mbi përbërjen dhe strukturën e unazës, e cila ka disa “hëna të vogla” në vetvete.

“Kjo strukturë është misterioze për ne. Dime që ndryshojnë jashtëzakonisht shpesh formë, ndonjëherë edhe brenda orësh”, thotë Linda Spilker, shkencëtare e NASA-s.

Një tjetër objektiv që grupi i shkencëtarëve i kanë vënë vetes është që të përcaktojnë me saktësi sesa e gjatë është një ditë në Saturn, e thënë ndryshe, sa kohë i duhet këtij planeti për t’u rrotulluar rreth vetes.

Pas këtyre dy misioneve, mbërrin i treti; vetëvrasës dhe gjithashtu shumë i rëndësishëm. Më 15 shtator 2017, Cassini do t’i drejtohet atmosferës së Saturnit dhe gjatë misionit vetëvrasës do të dërgojë në Tokë të dhëna mbi përbërjen e saj.

Por pse pikërisht kjo zgjedhje? Cassini është duke konsumuar pikat e fundit të karburantit, por përse NASA nuk e shfrytëzon deri në fund sondën? Shkencëtarët e agjencisë hapësinore amerikane japin përgjigjie për këtë.

“Duam që të shmangim mundësinë që në të ardhmen, sonda të përplaset me Enceladus apo me Titanin, dy Hënat e Saturnit ku mundësitë që të ketë ujë janë të mëdha. Duam të eleminojmë mundësinë që sonda të kontaminojë me ndonjë mikrob tokësor këto dy Hëna”, thotë NASA. 

Cassini mbërriti në orbitën e Saturnit në vitin 2004. Zbulimet e saj më të mëdha janë “shatërvanet me ujë që shpërthejnë mbi sipërfaqen e akullt të hënës Enceladus, vëzhgimi i disa stuhive të çuditshme në atmosferën e Saturnit dhe që në hënën Titan ka liqene dhe dete, ashtu si në Tokë, por që besohet se atje janë të mbushur me metan dhe etan, jo ujë.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel