Aksident në aksin Korçë-Pogradec, një i vdekur dhe dy të plagosur

06/11/2016 00:00

Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e një aksidenti të regjistruar mbrëmjen e së shtunës në aksin nacional Korçë-Pogradec.

Ngjarja me një bilanc tragjik ka ndodhur në afërsi të fshatit Leshnicë, teksa një automjet ka përplasur një zetor, i cili udhëtonte në anë të rrugës.

Automjeti me targa AA 613 NL, i drejtuar nga Gjergji Ndini, 55 vjeç, ka goditur në pjesën e pasme zetorin ku ndodheshin një çift bashkëshortësh, e për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit bujqësor, Ismail Kapa 60 vjeç, ndërsa është plagosur rëndë bashkëshortja e tij, Florie Kapa 59 vjeç.

Burime nga vendi i ngjarjes bënë me dije se, viktima ka ndërruar jetë pak minuta pas aksidentit, ndërsa bashkëshortja e tij është dërguar në Spitalin e Pogradecit, ku ndodhet në gjendje kritike, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka marrë.

Mësohet gjithashtu se edhe drejtuesi i mjetit, Gjergji Ndini ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit dhe, pasi është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, është shoqëruar nga blutë juglindorë.

Nga ekspertiza paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 55-vjeçari ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij tej limiteve të lejuara të shpejtësisë dhe, si pasojë e errësirës dhe mungesës së sinjaleve ndriçuese të mjetit, ai nuk e ka parë zetorin për ta shmangur në kohën e duhur, duke shkaktuar aksidentin e rëndë.

Pas ngjarjes, policia po punon për zbardhjen e detajeve të tjera të aksidentit.

Top Channel