Rasti i një 17-vjeçarje që ka abortuar në spitalin e Vlorës është duke u hetuar nga ana e policisë, pasi dyshohet se ajo mund të jetë abuzuar nga babai i saj, shtetasi me inicialet V.C, 41 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Ngjarja e rëndë u bë publike në momentin kur e mitura u shfaq në spital me dhimbje barku, pa qenë në dijeni se në të vërtetë ishte shtatzënë. Mjekët thonë se ajo ishte shtatzënë në javën e 21-të dhe për shkak të komplikacioneve të shfaqura, u detyruan që të aplikonin abortin.
Policia është duke hetuar në lidhje me rastin në fjalë pasi vetë vajza me inicialet Xh.C. ka kallëzuar të premten babain e saj.
Nga ana tjetër, pjesëtarët e tjerë të familjes kërkojnë që të zbardhet e vërteta.
“Të zbardhet e vërteta, ai që është përgjegjës për këtë traumë që na u shkaktua familjes të marri denimin e merituar”, thonë ata.
Sipas nënës së vajzës, ajo ka kaluar një traumë pas kësaj ngjarje .
Top Channel