Çmimi i energjisë nuk do të ulet; KESH dhe OSHEE, miliarda lekë borxh për të shlyer

29/10/2016 00:00

Qeveria është optimiste mbi performancën e kompanive të prodhimit, shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë edhe për 2016-ën. Pasi doli nga gropa financiare në 2015-ën, OSHEE ka arritur bilanc pozitiv edhe në 8 muajt e parë të këtij viti.  Mbledhja e detyrimeve të prapambetura nga konsumatorët, i mundësoi të nisë shlyerjen e borxheve që vetë OSHEE u ka të tjerëve.

“Kjo solli dhe në dy ndërmarrje të tjera rezultate positive. Pra, pati fitim në 2015 në kesh. Kemi paguar jo pak, po 9.1 miliardë lekë pagesa të prapambetura ndaj HEC-eve private, të cilat ishin mbytur  nga mungesa e likuiditetit”, tha Ilir Bejtja / Zv. Ministër Energjie.

Qeveria hoqi fashën mbrojtëse, duke unifikuar cmimin e energjisë në 9.5 lekë për konsumatorët familjarë. Por në kushtet e këtij optimizmi, a është koha për të ulur çmimin?

“Edhe sot e kemi të ulët çmimin. Konsumatorëve ia japim me 9.5 lekë ndërsa kosto është 11.22 lekë por kemi mirëmenaxhuar burimet. Sistemit i duhen edhe 900 mln euro të tjera që të investohet dhe për ta arritur këtë na duhen edhe 4 apo 5 vite të tjera, mendoni që kemi shumë zona që ndezin vetëm një llambë kështu që duhet akoma ndërhyrje për të përmirësuar cilësinë”, tha Bejtja.

Në vitin 2015 shifra e investimeve në energji ishte 14.2 miliardë lekë. Ndërsa për këtë vit janë planifikuar 24.1 miliardë prej të cilave 12.7 vetëm në shpërndarje.

Top Channel