Atentati për 7.500 euro, “shënjestra” në gjykatë: Nuk e di kush më qëlloi

27/10/2016 18:05

Për 7.500 euro tentuan ta vrisnin dy vite më parë, por shënjestra e atentatit të atëhershëm, Edmond Çakmashi nuk mban mend asgjë.

Ndryshe nga qëndrimi i Prokurorisë, e cila shpjegon skemën sesi u porosit me telefon prej Admir Tafilajt vrasja e biznesmenit, ai i tha gjykatës se nuk e njeh të pandehurin, megjithëse ka dëgjuar të flitet për të.

Edmond Çakmashi u qëllua me armë zjarri nga bashkëpunëtori aktual i drejtësisë, Kristi Pine, që ka pranuar të rrëfejë më herët se, së bashku me të pandehurit e tjerë Alfred Qefalia dhe Klajdi Shermadhi u organizuan për ta vrarë.

Në fakt, Tafilaj në këtë vrasje të ngelur në tentativë është vetëm ndërmjetësi, pasi sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, porositësi i krimit është i pandehuri tjetër Adrian Ozuni.

Por Çakmashi mohoi të kishte pasur ndonjëherë konflikt me Ozunin, duke shtuar se “e njihte dhe përshëndeteshin”.

“Isha duke folur në telefon – kujtoi më tej Çakmashi, – kur një djalë i ri, nuk e mbaj mend kush ishte, u afrua dhe më qëlloi”, ka theksuar biznesmeni, i cili për shkak se ndodhet i arrestuar për një vepër penale u soll në gjykatë me pranga.

Edmond Çakmashi ka shpëtuar mrekullisht nga ky atentat, e po aq me fat duket se ka qenë edhe truproja e tij, Kejvi Balashi, pasi siç bëhet e ditur biznesmeni u ka deklaruar familjarëve të këtij të fundit nga ambientet e spitalit se atentatorët kanë pasur si objektiv edhe atë, por fatmirësisht ai nuk ndodhej me të.

Top Channel