Ndahet nga jeta “Artistja e Popullit” Melpomeni Çobani

26/10/2016 00:00

Melpomeni Çobani, aktorja e njohur e Estradës së Tiranës është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, paraditen e së mërkurës.

Melpomeni Çobani u lind më 6 qershor të vitit 1928 në Tiranë. Fillimisht u angazhua në Teatrin amator, kohë kur pikaset nga artisti Pandi Stillu, i cili e fton të punonte si aktore në Teatrin Popullor. Pas interpretimit në rolin e Lizës në pjesën “Liza dhe Sula”, Melpomeni shkëputet për t’iu dedikuar sportit, ku edhe arriti disa rekorde në atletikë, volejboll e ping pong.

Çobani dha kontributin e saj në themelimin e Estradës së Tiranës në vitin 1952, skenë në të cilën ka interperetuar rreth 2.500 role.

Pikërisht në vitin 1952 iu dedikua tërësisisht aktrimit në pjesët “Fejesa”, “Halili dhe Hajria” e “Perfekti”, por nuk do të mungonin edhe filmat “Stola në park”, “Tela për violine”, “Ballë për ballë”, “Radiostacioni”, “I teti në Bronx”, etj.

Melpomeni Çobani mban titullin “Artiste e Merituar” që prej vitit 1961, ndërsa në vitin 1976 u nderua me çmimin më të lartë “Artiste e Popullit”.

Homazhet në nder të artistes do të mbahen në Teatrin e Metropolit, ditën e enjte në orën 12:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB