‘Po prisja telefonatë nga kolegu’, Shqiptari kapet me kufje të fshehta gjatë provimit të patentës në Belgjikë, përfundon në gjykatë Në një operacion të Guardia di Finanza në rajonin jugor të Salentos në Itali, u arrestuan 11 persona, pjesë e një rrjeti kriminal, i cili ndër të tjera trafikonte dhe lëndë narkotike që e blinte nga Shqipëria.
Në një bisedë të përgjuar për llogari të hetimeve të operacionit të koduar “Delja e zezë”, dy të dyshuarit flasin për një ngarkesë që duhet ta merrnin në Shqipëri e ku referencat “e kanë djegur” dhe “po punojnë më llamba” lë të kuptohet se bëhet fjalë për kanabis sativa.
Biseda e përgjuar:
Shtetasi S.V. – Ti duhet të ngarkohesh?
Shtetasi M. C. – Po, por nuk ka shumë. S’është problemi im. Unë ndaj shkova në Shqipëri. Sot duhet të nisesha, por nuk shkova se nuk ishte anija. Deti është i trazuar. Nesër do të nisem. Por atje e kanë djegur të gjithë, s’ka mbetur gjë.
Shtetasi S.V. – E di!
Shtetasi M.C. – Po e bëjnë me llamba të gjithën, ose të paktën të gjithë atë që është. Kjo është gjithçka më tha. Është korrja e një viti e gjysmë më parë.
Kjo është vetëm njëra ndër bisedat e përgjuara nga Guardia di Finanza, e që çuan në përmbylljen e operacionit me bllokimin e pronave, automjeteve dhe 13 llogarive bankare me një vlerë totale prej 750 mijë eurosh.
Hetimet u hapën pas denoncimit të një sipërmarrësi të zhvatur nga grupet kriminale në Bari dhe Bitonto dhe për objektiv kishin klanet Di Cataldo dhe Cipriano. Në operacion u angazhuan 159 ushtarakë dhe 7 njësi policore.
Pjesëtarët e organizatave kriminale e kishin bazën operative në një lagje të populluar në qytetin e Bitontos, ku një çift të rinjsh drejtonin lëvizjet e lëndëve narkotike nga vendi ku blihej deri në sheshet ku shitej. Për të mos ngjallur dyshime ata mbanin me vete djalin e tyre 10-vjeçar.
Ndaj rrjetit kriminal rëndojnë dyshimet për shumë vepra penale përveç shpërndarjes së lëndëve narkotike edhe zhvatje, vjedhje, favorizime e të tjera.
Top Channel