Itali, mbante peng rumunen, pranga shqiptarit

19/10/2016 00:00

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar dhe një vajzë rumune që mbahej peng prej tyre është liruar nga policia italiane, në lokalitetin Muxhelo, pranë Firences.

Sipas raportimeve të mediave italiane, vajza, 18 vjeçe, mbahej e mbyllur në një kasolle prej thuajse tre javësh. Në të njëjtën banesë, policia ka arrestuar një 27-vjeçar shqiptar, i akuzuar për grabitjen e vajzës dhe për një tentativë vrasjeje.

23 shtatorin e kaluar, i riu kishte tentuar të vriste me thikë një bashkëkombas, në një rrugë në zonën e Novolit, po në Firence. Për të njëjtën tentativë vrasjeje është ndalur edhe një tjetër shtetas shqiptar.

Nga hetimet e policisë italiane ka rezultuar se vajza rumune, që kishte mbërritur në Itali vetëm pak kohë më parë, e njihte rrëmbyesin, me të cilin dyshohet se kishte pasur edhe një marrëdhënie.

Më 24 shtator autori e kishte marrë me forcë nga shtëpia e një shoqeje, ku 18-vjeçarja ishte strehuar për t’i shpëtuar. Të njëjtën ditë, shtetasi shqiptar kishte kërcënuar me thikë dhe më pas rrahur shoqen e vajzës së rrëmbyer, një prostitutë nga Amerika e Jugut.

Nuk përjashtohet që të dyja ngjarjet të jenë të lidhura me përplasjet mes grupeve kriminale shqiptare aktive në shfrytëzimin e prostitucionit.

Top Channel