VV në Bruksel, flasin për Zajednicën, refugjatët, qeverisjen

16/10/2016 00:00

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe deputeti Albin Kurti janë duke zhvilluar një takim me bashkatdhetarët në Bruksel.

Aty, të tre anëtarët e VV-së kanë folur rreth situatave të krijuara në Kosovë, për dialogun dhe marrëveshjet e Kosovës me Serbinë, si dhe u kanë kërkuar bashkëatdhetarëve të mos heqin dorë nga Kosova dhe ta ndihmojnë atë me aktivitetin e tyre.

Ymeri ka folur për qeverinë aktuale, duke thënë se Hashim Thaçi e Isa Mustafa po lejojnë që të zhduket sovraniteti i Kosovës me marrëveshjet e nënshkruara në dialogun me Serbinë. Sipas tij, në çdo marrëveshje të nënshkruar, cenohet sovraniteti i vendit.

Ymeri ka folur edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, duke thënë se me krijimin e kësaj bashkësie, Kuvendi i “Zajednicës” bëhet më i fortë se sa Kuvendi i Kosovës.

“Kosova ka nënshkruar më shumë se 13 marrëveshje që e vendos Kosovën në një pozicion inferior karshi Serbisë. Cilëndo marrëveshje që të marrim e sheh që Kosova ka heq dorë nga e drejta e saj sovrane për ato që janë të shkruara aty… Hashim Thaçi me Isa Mustafën kanë vazhduar me e zhduk sovranitetin e Kosovës…Kjo bashkësi e komunave është një republikë serbe në territorin e Kosovës, e ndarë nga pjesa tjetër e institucioneve. Zajednica në momentin e themelimit nuk mund të shpërbëhet ndryshe pos me 2/3 e votave nga Kuvendi i Zajednicës. Kjo e bën Zajednicën më republikë se Republika e Kosovës”, ka thënë Ymeri, transmeton Indeksonline.

Kurti ka përmendur statutin e rëfugjatëve, për të cilin nuk janë kujdestur institucionet e Kosovës. Ai ka thënë se duhet të shënohet se refugjatët kosovarë e kanë lëshuar vendin nga zori e jo nga qejfi.

“Duhet të insistojmë që bashkatdhetarët tanë t`i kenë të gjitha të drejtat siç i kanë shqiptart në Kosovë, Shqipëri e në vise tjera…Statusi i refugjatëve, për shumë nga ju është pranuar ky status por kjo nuk është  regjistruar në institucionet në Ballkan e posaçërisht në Republikën e Kosovës.  Duhet të shënohet që ju nuk e keni lëshuar vendin nga qefi, por nga zori”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Ahmeti, në anën tjetër, ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të vazhdojnë angazhimin për Kosovën.

“Në qoftëse vazhdojmë me këtë qeverisje do të kemi nevojë edhe më shumë për shpëtim por kësaj radhë une e kam thënë dhe do ta them, nga diaspora kërkojmë ndihmë, jo financiare, por angazhimin e aktivistit për Kosovën duhet ta vazhdoni edhe më tutje”, është shprehur ai.

Ahmeti ka thënë që diaspora të vazhdojë ta kritikojë Kosovën sepse vetëm kështu do të ketë përmirësime.

Top Channel