Beograd, refuzohet kërkesa për lirimin e Nehat Thaçit

14/10/2016 00:00

Gjykata Speciale në Beograd e hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes së nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, që t’i ndërpritet paraburgimi i caktuar në fund të muajit shtator nga Gjykata e Nishit.

“Me vendimin e gjyqtarit për procedurë paraprake, më 13 tetor janë refuzuar propozimet e mbrojtësve të të pandehurit për përfundimin paraburgimit”, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Tanjug”, zëdhënësja e gjykatës, Tanja Koljenshiç.

Kundër këtij vendimi nuk mund të apelohet, kështu që Thaçi aktualisht mbetet në paraburgim.

Kryepolici i Mitrovicës ka qenë në paraburgim që prej 28 shtatorit, kur u arrestua në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë të Nishit të vitit 2010.

Thaçi u transferua më pas në Beograd dhe më 10 tetor dëgjoi prokurorin për Krimin e Organizuar, i cili ka filluar një hetim kundër tij për veprën penale të terrorizmit.

Top Channel