Apeli i Vetëvendosjes për Ramën

12/10/2016 00:00

Nga Prishtina në drejtim të Tiranës erdhën thirrje për anulimin e vizitës së kryeministrit Rama në Beograd. Ka qenë deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri që përmes një statusi në Facebook i ka kërkuar Ramës që të mos udhëtojë në Serbi, vend që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet që nesër të marrë pjesë në një panel me kryeministrin e Serbisë, Vuçiç, me temën: “E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe stabiliteti në Evropën jug-lindore”.

I bëj thirrje zotit Rama që të mos shkojë në Beograd dhe të mos marrë pjesë në këtë panel, jo vetëm për shkak të arrestimit para dy javësh të drejtorit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi dhe jo vetëm për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës e moskërkimit të faljes për krimet e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Serbia e Vuçiç ka marrëdhëniet më të këqija me Kroacinë e Bosnjen që prej përfundimit të luftërave në vitin 1995. Rama nuk duhet ta ndihmojë Vuçiç që ai të duket mirë në Ballkan.

Rama duhet të shkojë pesë herë në Zagreb, katër herë në Sarajevë, tre herë në Podgoricë, dy herë në Sofje, që të mund të shkojë një herë në Beograd”, thotë Ymeri në statusin e tij.

Top Channel