Sulmi ndaj Ryan, mision “kamikaz” i Trumpit. Përçan republikanët

11/10/2016 00:00

Donald Trump sulmon edhe partinë e tij, në atë që CNN e cilëson si “misionin kamikaz” të kandidatit, duke përçarë republikanët 4 javë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka lëshuar një “lumë” postimesh në “Twitter” kundër kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili një ditë më parë deklaroi në një konferencë të partisë se, nuk do ta mbronte më Trumpin.

Manjati i pasurive të paluajtshme akuzon Ryanin dhe eksponentë të tjerë të Partisë Republikane se po ia shkatërrojnë fushatën.

“Shumë mirë që m’i kanë hequr prangat, unë tani mund të luftoj për Amerikën ashtu siç dua”, shprehet Trump në “Twitter”. Ai e quajti Ryanin një udhëheqës të dobët dhe jo efektiv.

“Pavarësisht fitores së ngushtë në debatin e dytë, është e vështirë të shkojnë gjërat mirë, kur Paul Ryan dhe të tjerët të japin zero mbështetje” ka shkruar Trump.

Ndërsa duke iu referuar regjistrimeve me frazat vulgare të tij për gratë, Trump ka thënë se nëse do të vazhdohet me këtë temë, atëherë le të flasim për gjërat e pahijshme të Billit dhe Hillarysë.

Ndaj përfshirjes së tij në këtë mënyrë në fushatën e së shoqes, Bill Clinton ka reaguar nga Florida.

“Ngado që shkoj përballem me pyetje politike për të përzierë acidin që po derdhet këto ditë rreth e rrotull nesh. Besoj se amerikanët do ta kuptojnë vetë. Unë duhet t’iu them diçka. Dhe e vetmja gjë që duhet t’iu them është se Hillary duhet të jetë Presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ka të bëjë me ju. Këto zgjedhje ju përkasin juve”, tha Bill Clinton, ish-president i SHBA-ve.

Clinton foli si bashkëshort i kandidates demokrate për presidente gjatë një tubimi në Florida, ku u kërkoi amerikanëve të dalin të votojnë, pasi çdo mungesë do të thotë një votë për Trumpin.

Top Channel