Beograd, nis procesi ndaj kryepolicit të Mitrovicës

10/10/2016 00:00

Shefi i policisë së rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçi është marrë në pyetje nga organet e hetuesisë në Beograd. Ai ka mohuar të ketë lidhje me krimin që është akuzuar apo të ketë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi është transferuar në Beograd nga Gjykata e Nishit pasi ishte arrestuar në pikëkalimin kufitar në Bujanoc.

Kryepolici i Mitrovicës është duke u hetuar lidhur me dëbimin e një familjeje serbe nga Kosova në vitin 1999.

Gjykata serbe i ka dhënë Thaçit 30 ditë paraburgim në bazë të një hetimi të filluar në vitin 2009 në bazë të një dëshmie.
Avokati mbrojtës i Thacit, Seat Spahoviç,  thotë se do të bëj kërkesë për lirimin e tij. As arrestimi, por as lënda deri më tani, nuk kanë dëshmi për kryerje të veprës “terrorizëm”.

“Prokuroria ka për detyrë dy qëllime, njëri që është arritur, paraburgimi që në e vëmë në dyshim pasi është i kundër ligjshëm, por me forcë mund të bëhen të gjitha. Dhe, prokuroria sigurisht dëshiron të dëshmojë këtë ngjarje që në këto momente nuk duket se mund ta bëj. Jam shumë i sigurt se edhe nëse dëshmohet ajo që ka shkruar prokurori nuk është vepër terrorizmi dhe nuk ka bazë.” U shpreh avokati Seat Spahovic.

Dëshmia e Thaçi në prokurori ka zgjatur rreth një orë, ndërsa rastin e ka iniciuar Gjykata e Prishtinës me seli në Nish. Paraburgimi do të vazhdojë.

Top Channel