Kosovë, Kuvendi miraton në parim projektligjin për “Trepçën”

07/10/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin për “Trepçën” me 82 vota pro, 12 abstenime dhe asnjë kundër, pas një seance të gjatë shqyrtimi të ditës së premte, e cila do të pasohet nga një seancë e dytë për miratimin në tërësi të saj.

Për këtë u desh që të shmangej rregullorja e Kuvendit, pas propozimit të kryetarit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, i mbështetur nga kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, por edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Në Kuvend, kryeminstri i Kosovës Isa Mustafa prezantoi projektligjin, si mënyrën më të mirë për ta shpëtuar “Trepçën” nga likujdimi i detyruar në datën 2 nëntor.

“Ligji përcakton qartë se burimet minerare janë pronë e Kosovës, ndaj me këtë ligj, prona e Trepçës mbetet pronë e Kosovës. Do të organizohet si shoqëri aksionare, ku 80% të aksioneve do t’i ketë shteti, ndërsa 20% punonjësit e Trepçës. E drejta e dividentit do të jetë proporcionale për asetet mbitokësore dhe jominerale. Trepça do jetë koorporatë unike me bilanc të konsoliduar duke përfshirë ambientet në Stantërg, Kishnicë, Artanë e Leposaviç”, tha kryeministri kosovar Mustafa.

Por Lëvizja Vetëvendosje, e cila është avokatja më e madhe e pronës publike në Kosovë, kësaj here nuk është e bindur, duke argumentuar se ligji i ri lejon shitjen dhe shmang kontrollin e Kuvendit mbi këtë proces.

“E ardhmja e saj është për ta shitur pjesë-pjesë, si hajduti kur vjedh një makinë dhe e shet pjesë-pjesë. Pra ta heqim qafe, ligji këtë parashikon. Kemi diskutuar dikur që Trepça duhet të shndërrohet në ndërmarrje publike. Kjo s’do të thotë që e parandalon privatizimin. Kjo e sotmja është një metodë mashtruese, po kërkohet nga Kuvendi që të votojë një ligj, ku Kuvendi përjashton veten si vendimmarrës për Trepçën. Po votohet pa ditur vlerën, asetet e pa studim fizibiliteti. Trepçën nuk po e merr Kosova, po e bëjnë gati që ta marrin të tjerët”, deklaroi Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Minierat e Trepçës në Mitrovicë ndodhen në jug, ndërsa uzinat e shkrirjes dhe kapacitetet e tjera prodhuese në veri, ku banojnë serbët. Pavarësisht pritshmërive, në projektligj nuk janë përfshirë 31 njësitë e “Trepçës”, që kanë mbetur në Serbi e republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që fakti se Trepça po vihet nën administrimin e Qeverisë së Kosovës ka tensionuar serbët.

Përveç deputetëve që përfaqësojnë pakicën serbe në Kuvend, kundër ligjit janë ngritur edhe punëtorët e Uzinës së Shkrirjes, pjesë e kompleksit, por që shtrihet në veri të Kosovës. Serbët kanë protestuar edhe këtë të premte pranë Leposaviçit, pasi nuk duan të jenë në menaxhimin e Prishtinës.

Beogradi, duke pretenduar ende pronësinë, kërkon futjen e Trepçës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, të ndërmjetësuara nga BE-ja.

***

Ndërkaq, “Lista Serbe” kërkoi që projektligji për “Trepçën” të largohej tërësisht nga rendi i ditës së seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, një propozim që nuk u mbështet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilën kanë votuar me 86 vota kundër nga 94 deputetë të pranishëm.

Kompleksi metalurgjik “Trepça” gjendet në Komunën e Mitrovicës, sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit. Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte të tjera.

Ky kompleks metalurgjik është nën një moratorium të vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administratore e tij. Sipas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të “Trepçës” është 1 nëntori i këtij viti. Deri para kësaj date, Qeveria e Kosovës duhet të miratojë ligjin për “Trepçën”, në mënyrë që ta shpëtojë nga likuidimi këtë ndërmarrje.

Përfaqësues të sindikatës se punëtorëve të këtij kombinati, njëri nga të cilët do të jenë anëtar i komisionit, thonë se “Trepça” do të jetë ndërmarrje publike dhe punëtorët nuk do të lejojnë që statusi i këtij kombinati të marrë drejtim tjetër. Edhe anëtarët e tjerë të komisionit për hartimin e ligjit konsiderojnë se, ligji i hartuar do të zgjidhë problemet e tanishme dhe ato të kaluara.

Ky kombinat, që para viteve ’90 ka pasur 25 mijë punëtorë, tashmë numëron vetëm 1.400 punëtorë aktivë. Në mbledhjen e sotme të qeverisë u tha se ajo do të jetë pronare e 80 për qind të aksioneve ndërsa punëtorët do të kenë 20 për qind të tyre.

Top Channel