10 viktima, mijëra të shpërngulur e shkatërrime në masë. Është ky bilanci që la pas në Haiti uragani më i fuqishëm karaibik i dekadës së fundit, që solli erëra deri në 230 km/h, shira të dendur e përmbytje.
Grupet e shpëtimit e kanë shumë të vështirë të hyjnë në disa prej zonave më të goditura, të cilat janë izoluar kësisoj përmasat e vërteta të dëmeve nuk dihen ende, veçanërisht në skajin jugor të ishullit që gjendej direkt në rrugën e uraganit. Një urë tepër e rëndësishme është shkatërruar, rrugët janë të pakalueshme dhe komunikimet telefonike janë ndërprerë. Situata e vështirë ka detyruar autoritetet të shtyjnë zgjedhjet presidenciale të planifikuara për në fundjavë.
Mourad Ëahba, përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Haitin tha se të paktën 10 mijë njerëz gjendeshin në vendstrehime të përkohshme dhe se spitalet ishin tejmbushur. Të shumta banesat e dëmtuara, siç tha ministri i Brendshëm François Anick Joseph. Mes ndërtesave të shkatërruara janë edhe shkolla e kisha, të cilat do të përdoreshin si qendra elektorale në zgjedhje. Tashmë janë shtetet amerikane të Floridës dhe Karolinës së Jugut që do të përballen me forcën e natyrës, ndërsa stuhia po i afrohet Bahamasit. Nëpër ishuj janë ndërprerë të gjitha lëvizjet ajrore e detare dhe qytetarëve u është bërë thirrje të zhvendosen në zona të larta.
Guvernatori i Floridës, Rick Scott tha se shteti i tij mund të përballet me evakuimin më të madh në histori. Në total, uragani Methju besohet të ketë shkaktuar 16 viktima, përfshirë 4 persona që humbën jetën në Republikën Dominikane si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Në Kubë, dhjetëra banesa në qytetin lindor të Barakoas u shkatërruan.
Presidenti amerikan Barack Obama parlajmëroi se ditët në vijim do të ishin të rrezikshme dhe u kërkoi shtetasve të tij të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve.
Methju është uragani më i fuqishëm në rajon që prej Feliksit, në vitin 2007.
Top Channel