“Trepça”, Veseli nënshkruan pr.ligjin e proceduar nga qeveria. Të premten në Kuvend

05/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas procedimit nga ana e qeverisë të projektligjit për “Trepçën”, ka nënshkruar këtë të mërkurë shkresën, duke ua shpërndarë më pas deputetëve të Kuvendit, në mënyrë që të kenë informacionet e duhura për seancën e së premtes, ku pritet edhe votimi i këtij projektligji.

Sipas draftit që është proceduar sot, gjiganti metalurgjik “Trepça” do të mbetet pronë publike e Kosovës, ndërsa do të jenë institucionet e shtetit, ato që do të vendosin për zhvillimin e saj.

Projektligji për “Trepçën” mësohet se është përfunduar nga Veseli, një ditë para se ai të vizitonte kompleksin metalurgjik dhe minatorët e saj, ku dhe u dha lajmin se “Trepça” do të shndërrohet nga ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike.

Ligji për “Trepçën” pritet miratohet të premten, ndërkaq Qeveria e Kosovës ka miratuar sot draftin përfundimtar dhe e ka proceduar për miratim në Kuvend.

Nga kompleksi i dikurshëm i “Trepçës”, aktualisht në gjendje pune janë vetëm minierat e Stantërgut, Novobërdës dhe ajo që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës. Mineralet bruto që nxirren prej tyre shkojnë për eksport, por kostoja nuk arrin të mbulojë as pagat e 2.400 punonjësve, ndaj prej vitesh ato subvencionohen nga qeveria.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel