Kim Kardashian, më e famshmja e motrave që u kthyen në yje falë një emisioni “reality show” që tregonte jetën e tyre, ka përjetuar ndoshta disa prej momenteve më të vështira të jetës së saj.
Pesë persona të armatosur e të maskuar si policë hynë në dhomën e rezidencës luksoze në Paris, ku Kardashian po qëndron në kuadër të javës së modës në kryeqytetin francez. Siç mësohet, ata e lidhën dhe e mbyllën në tualet, e më pas i vodhën sende me vlerë prej 16 milionë dollarësh, mes të cilave disa stoli dhe celularin.
Zëdhënësja e 35-vjeçares, Ina Treciokas bën të ditur se gjithçka kishte ndodhur ndërsa Kim gjendej në një rezidencë luksoze të frekuentuar nga yjet në “Champs Elysees” në Paris, rreth orës 3 të natës.
Pasi lidhën fillimisht rojen e natës, 5 agresorët hynë në dhomën ku po qëndronte Kardashian, duke e lidhur edhe atë, sipas mediave franceze, e duke e mbyllur më pas në tualet. Prokuroria franceze ka nisur hetimet.
Bëhet e ditur se Kim, e cila shoqërohet në Paris nga nëna, motrat dhe dy fëmijët e saj, thuhet të jetë e tronditur nga ngjarja, por nuk ka pësuar dëmtime fizike. Fëmijët North dhe Saint, respektivisht 3 vjeç dhe 6 muajsh, nuk gjendeshin në dhomë në momentin e plaçkitjes, e as bashkëshorti Kanye Ëest.
Ky i fundit ndërpreu menjëherë koncertin “Meadows Festival” në Nju Jork, për të qenë pranë gruas së tij.
Top Channel