Kroacia, pa Modriç e Lovren ndaj Kosovës

02/10/2016 00:00

Kosova do të zhvillojë këtë muaj ndeshjen e dytë kualifikuese në një turne madhor në historinë e saj, e në kampin e përfaqësueses së Albert Bunjakut e dinë mirë forcën e kundërshtarit të ardhshëm.

Në “Loro Boriçi” të Shkodrës do të zbarkojë Kroacia e shumë yjeve europianë, që për shkak të dëmtimeve duhet të riformatojë formacionin.

Mungesa më e rëndësishme e “dalmatëve” është Luka Modriç. Kapiteni influencues i përfaqësueses së Kroacisë nuk do të jetë në fushë në ndeshjet kundër Kosovës dhe Finlandës. Mungesa e mesfushorit në ndeshjet kualifikuese të kombëtares së tij, për në “Rusi 2018”, është si pasojë e dëmtimit të gjurit.

“Mesfushori i Realit dhe kapiteni i përfaqësueses kroate, Luka Modriç nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Ante Çaçiç për ndeshjet ndaj Kosovës (6 tetor) dhe ndaj Finlandës (9 tetor), në kuadër të kualifikikueseve të zonës së Europës për në Botërorin e 2018-s, për shkak të dëmtimit të gjurit. Ekipi mjekësor i përfaqësueses së Kroacisë është në kontakt me mjekët e Realit, rreth marrëveshjes për trajtimin e lojtarit kyç të Kroacisë dhe klubit të Madridit”, thuhet në njoftimin e Federatës.

Në vend të Modriç, trajneri kroat ka ftuar lojtarin nga ekipi “U-21”, Marko Rog. Edhe pse nga Reali nuk e kanë bërë të ditur mungesën e saktë të tij, 31-vjeçari pritet të jetë jashtë fushave të blerta rreth një muaj.

Por një tjetër lojtar me peshë, që nuk do të jetë më 6 tetor, është Dejan Lovren. Futbollisti që u përfshi në në skandal seksual para Europianit ishte projektuar titullar, por një dëmtim i ka privuar kombëtaren.

Top Channel