Formula 1, zbulohet kalendari provizor i vitit 2017

29/09/2016 00:00

Federata Nderkombëtare e Automobilizmit (FIA) zbuloi kalendarin provizor për Botërorin e Formulës 1 të vitit 2017. Për vitin e ardhshëm, ndryshimet janë të pakta dhe është parashikuar në këtë kalendar të jenë plot 21 gara.

Si gjithmonë, është Çmimi i Madh i Australisë që do të hapë këtë botëror në datën 26 mars, ndërkohë që do të ketë një shkëmbim të datave mes Çmimit të Madh të Kinës dhe atij të Bahreinit. Sipas kalendarit provizor të FIA-s, gara e Kinës pritet të jetë e dyta e sezonit të ri dhe do të mbahet në 9 prill, ndërsa ajo në Bahrein, një javë më vonë në 16 prill.

Gara e Malajzisë do të zhvillohet në shtator, ndërsa ato të Meksikës dhe Brazilit do të ndahen nga një javë me njëra-tjetrën. Korriku mbetet muaji më i ngjeshur i Botërorit të Formulës 1, me 4 Çmime të Mëdha: ato të Austrisë, Britanisë së Madhe, Hungarisë dhe Gjermanisë.

Në fakt, gara e Gjermanisë që mendohet se do të mbahet në Hokenhajm, pritet të konfirmohet, ashtu sikurse edhe ajo e Kanadasë e Brazilit. Botërori i Formulës 1 në vitin 2017 do të mbyllet në 26 nëntor, me Çmimin e Madh të Abu Dabit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA