Facebook është sot rrjeti social më i përhapur në botë që numëron 2 miliardë përdorues të regjistruar në të, por pak prej kësaj morie përdoruesish janë në dijeni të hapave të parë të tij.

Si nisi? Shpesh idetë e mëdha kanë nisur në mënyrë aksidentale dhe nga njerëz inovatorë e guximtarë. Ky është edhe rasti i Facebook.

Në 2003, atëherë në vitin e dytë të studimeve në Harvard, Mark Zuckerberg ngre një rrjet të mbyllur mes miqsh, të quajtur “Face Mash”. Ai u fut vjedhurazi në serverat e universitetit dhe mori nën kontroll dosjet e studentëve të tjera e më pas i postoi në rrjet ku miqtë votonin “Seksi apo jo” (Hot or Not).

Vetëm në orën e parë që ishte ‘online’, krijesa e parë e Markut mori plotë 22 mijë shikime nga 450 persona. Pak ditë më vonë, administrata e universitetit urdhëroi mbylljen e faqes duke deklaruar se shkelte të drejtën e autorit dhe kërcënonte sigurinë.

Faqja u mbyll ndërsa vetë Zuckerberg shpëtoi me një paralajmërim për përjashtim nga universiteti. Paralajmërimi nuk e ndali, por nisi një epokë të re për vetë studentin e vitit të dytë dhe për komunikimin në pjesën më të madhe të shoqërisë globale.

Më 4 shkurt të 2004-ës, Mark hodhi në rrjet “TheFacebook”. Gjashtë ditë më vonë, binjakët Cameron dhe Tylor Ëinklevoss, gjithashtu studentë në Harvard, e akuzuan se u kishte vjedhur idenë. Ata thanë se kishin arritur një marrëveshje me të për krijimin e një faqeje me emër HarvardConnection.com dhe se Zuckerberg i kishte braktisur dhe shfrytëzuar idenë e tyre për të ngritur Facebook.

Ata paditën Mark Zuckerberg dhe në 2008-ën gjykata u dha pjesërisht të drejtë duke u njohur aksione, që më vonë do të kapnin vlerën e 300 milionë dollarëve.

Por le të kthehemi tek hapat e parë. Brenda muajit “TheFacebook” kishte si anëtarë gjysmën e studentëve të Harvardit. Në mars pushtoi studentët në Yale, Columbia dhe Stanford. Ky ishte momenti kur Zuckerberg do të thërriste Dustin Moskovitz, Eduardo Saverin, Andrew McCollum dhe Chris Hughs si bashkëthemelues për ta ndihmuar në menaxhimin e rritjes së faqes dhe shndërrimit të saj në një biznes të mirëfilltë.

Deri në këtë periudhë, Zuckerberg drejtonte krijesën e vet nga dhoma e gjumit e konviktit, por kur gjërat u bënë serioze braktisi studimet në Harvard dhe në mes të 2004 punësoi bashkëthemeluesin e Napster, Sean Parker, si President të parë të kompanisë.

Në të njëjtën periudhë, Facebook u zhvendos në Palo Alto, Kaliforni, në një zyrë të modeste dhe të vogël dhe më shumë, të paktën nga fotot e kohës, ngjason me një klub miqsh të shkujdesur sesa me një biznes të saponisur. Vetë Mark Zuckerberg shpesh shfaqej në punë me të shkurtra, përgjumësh dhe me një birrë në dorë.

Zyrat e reja ishin fatsjellëse për kompaninë. Në të njëjtin muaj, Facebook dhe miqtë e tij të rinj morën 500 mijë dollarë në formë investimi nga ish-shefi ekzekutiv i PayPal, Peter Thiel dhe miku i tij, që më vonë do të themelonte Teslan, Elon Musk.

Këto para ishin ‘karburanti’ i ngjitjes me shpejtësi të Facebook. Në 2005, kompania deklaron 13.7 milionë dollarë përfitime, ndërsa në 2006, krijon origjinalin “News Feed”, që u jepte mundësi përdoruesve që të shihnin në kohë reale se çfarë po bënin miqtë e tyre në rrjet.

Në fund të 2007-ës, Zuckerberg takoi rastësisht një drejtuese të lartë ekzekutive të Google, Sheryl Sandberg. Vetë Sandberg në atë kohë po mendonte seriozisht që të pranonte një ofertë të “The Washington Post”. Por pasi u takua më të, Zuckerberg mendoi se Facebook kishte nevojë për një shefe ekzekutive dhe arriti të bëndi Sheryl, që do të niste punën e re në fillim të 2008-ës.

Kur Sheryl mbërriti Facebook po rritej me shpejtësi dhe një ndihmesë të madhe në këtë aspekt ofroi edhe zgjerimi po me të njëjtat ritme i telefonave inteligjentë në tregun global. Në fund të 2010-ës, Facebook ishte ndër faqet më të vizituara në botë, duke kapur një trilion klikime që nuk mund të përballoheshin më nga zyrat e vogla në Palo Alto.

Në 2011, kompania u zhvendos në një kampus ku dikur operonte Sun Microsystems, që ishte blerë nga Oracle.

Pikërisht në këtë kampus, rrugë do të quhej nga Facebook “Hacker Way”, që i referohej filozofisë së Mark Zuckerber; “Shkel rregulloret, por vepro shpejt”.

Në këtë periudhë nis të dalë gjithnjë e më shumë në pah fuqia e Facebook. Në shkurt të 2011, revolta e egjiptianëve kundër Hosni Mubarak u organizua kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe më i përdoruri këtu ishte Facebook.

Kjo fuqi i hapi dyert Zuckerberg, që nisi të përfshihet gjithnjë e më shumë në politikë dhe të takohet më udhëhqësit globalë për të siguruar mbështetjen e tyre për ofrimin e internetit në mbarë botën.

Rritja ishte e shpejtë dhe e pandalshme dhe më 18 maj të 2012, kompania u kuotua në bursë dhe vlente plot 5 miliardë dollarë. Një ditë më vonë, Mark gjeti kohën që të martohej me të dashurën prej kohësh, Priscilla Chan, të cilën e ka njohur që në kohën kur ishte student në Harvard.

Gjatë rrugëtimit, Facebook është kujdesur që jo vetëm të rritet vetë, por edhe të shmangë konkurrencën duke blerë rivalët potencialë. Në 2012, bleu për 1 miliardë dollarë Instagramin dhe sot numëron thuajse gjysmë miliardi përdorues.

Në shkurt të 2014 do të hidhej tek aplikacionet e mesazheve në telefon duke blerë për 19 miliardë dollarë ËhatsApp. Bashkëthemeluesi i këtij aplikacioni, Jan Koum sot është pjesë e bordit drejtues të Facebook, ndërsa vetë shërbimi numëron mbi 1 miliardë përdorues mujorë.

Pikërisht në këtë periudhë, kur Facebook festonte 10-vjetorin e ‘lindjes’, rrjeti social numëronte 1.23 miliardë përdorues çdo muaj, nga të cilët 1 miliardë vinin nga telefonat inteligjentë. Bota kishte ndryshuar, por Facebook jo, ai vazhdonte të rritej.

Për të përballuar këtë rritje ishte i domosdoshëm një tjetër zgjerim. Kompania ndërton një kampus tjetër për 2800 punonjës të rinj.

Sot rritja nuk është në nivelet e 6-7 viteve më parë, por Facebook vijon të mbetet rrjeti social më i përhapur në botë thuajse i pashqetësuar në hegjemoninë që ka vendosur dhe me objektiv të njëjtë; të lidhë njerëzit, që i shërben edhe udhëzimi i Zuckerberg: “Nuk shërbejmë për të bërë para, por bëjmë para për të shërbyer”.

Top Channel