Kryeprokurori i Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, David Schwendiman u zotua të punojë fort e pa frikë në hetimet, ku mund të përfshihen disa prej politikanëve të lartë në vend.
Në konferencën e e tij të parë që prej marrjes së postit këtë muaj, Schwendiman, ish-prokuror i Përgjishëm amerikan, tha se ishte shumë herët për të spekuluar lidhur me të dyshuarit.
“Ligji, që krijoi pozicionin që unë mbaj tani, e bën shumë të qartë. Unë jam i pavarur dhe nuk marr udhëzime nga askush”, tha ai.
Në vitin 2011, një raport i Këshillit të Europës lidhi disa prej figurave kryesore të politikës kosovare, të tillë si Hashim Thaçi, me krime kundër serbëve, përfshirë trafikim organesh. Thaçi i mohon kategorikisht pretendimet e tilla.
“Ka shumë gjëra që duhen bërë e që duhet të vijnë, përpara se çdo gjë të shkojë në vend, duke më lejuar të marr vendime formale. Në fund do të vendos mbi bazën e provave dhe të ligjit”, tha prokurori.
Gjykata e re në Hagë, e quajtur “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, u themelua pas presionit nga Bashkimi Europian ndaj qeverisë kosovare për t’u përballur me akuzat për krime lufte kundër serbëve etnikë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Veteranët e luftës protestuan kundër krijimit të Gjykates Speciale, që do të operojë sipas ligjit kosovar, por duke shfrytëzuar gjykatës e prokurorë të huaj.
Administratorja e dhomave të specializuara, Fidelma Donlon pohoi të enjten se gjykata shpresonte të niste punën në gjysmën e parë të vitit 2017, duke miratuar rregullat e procedurave dhe provave, para se Schwendiman të ngrejë akuzat kundër ndonjë të dyshuari.
Siç tha ajo, gjykata është ende në procesin e emërimit të gjykatësve, që do të përcaktojnë këto rregulla.
Top Channel