Haradinaj: Janë shtuar votat kundër demarkacionit

14/09/2016 00:00

Ramush Haradinaj ka njoftuar se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të marrë pjesë në seancën e radhës së Kuvendit.

Ai ka thënë se pas tërheqjes nga rendi i ditës së çështjes së demarkacionit në Kuvend, nuk ka arsye që të mungojnë në seanca, ku, sipas tij, numri i votave që i thonë jo demarkacionit është shtuar edhe më.

“Seancën e radhës do të marrim pjesë sepse është rritur numri i votave që i thonë jo demarkacionit. Opozita është e vendosur dhe dihet që përgjigjja e deputetëve të opozitës është jo në lidhje me demarkacionin”, ka thënë Haradinaj.

Çështja e demarkacionit ka përçarë politikën kosovare gjatë muajve të fundit, me shumicën qeverisëse të vendosur ta ratifikojë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa opozitën të vendosur ta kundërshtojë, e ndoshta edhe ta bllokojë, përmes protestave masive në rrugë dhe në Parlament.

Megjithatë, edhe nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka nga ata që kanë mëdyshje nëse ratifikimi do të realizohet në Kuvend. Është pikërisht nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ai që ka deklaruar se demarkacioni mund të përfundojë në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi është shprehur i bindur se kjo çështje nuk do të përfundojë në Arbitrazh, sepse shumica qeverisëse do ta kalojë në Kuvendin e Kosovës, duke qenë se përcaktimi i vijës kufitare mes Malit të Zi e Kosovës është e rregullt.

Top Channel