Kosovë, nënkryetari i Kuvendit Haliti: Demarkacioni mund të përfundojë në Arbitrazh

09/09/2016 00:00

Çështja e demarkacionit ka përçarë politikën kosovare gjatë muajve të fundit, me shumicën qeverisëse të vendosur ta ratifikojë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa opozitën të vendosur ta kundërshtojë, e ndoshta edhe ta bllokojë, përmes protestave masive në rrugë dhe në Parlament.

Megjithatë, edhe nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka nga ata që kanë mëdyshje nëse ratifikimi do të realizohet në Kuvend. Është pikërisht nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ai që ka deklaruar se demarkacioni mund të përfundojë në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit.

“Meqë kjo çështje është shtyrë shumë, unë besoj se do të shkojë në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit. Megjithatë, shumëçka varet nga aftësia, nëse ne do të mund t’i bindim qytetarët. Në Arbitrazh nuk do të ketë shumë ndryshime”, ka thënë ai për “RTK”-në.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi është shprehur i bindur se kjo çështje nuk do të përfundojë në Arbitrazh, sepse shumica qeverisëse do ta kalojë në Kuvendin e Kosovës, duke qenë se përcaktimi i vijës kufitare mes Malit të Zi e Kosovës është e rregullt.

Top Channel