Rrëzimi i avionit në Shkup, familja kërkon trupin e Visar Begajt në Kosovë

08/09/2016 00:00

Familjarët e Visar Begajt, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e rrëzimit të një aeroplani privat dy ditë më parë në afërsi të Shkupit, kërkojnë që trupi i tij, pas procedurave ligjore të kthehet në Kosovë dhe jo në Itali.

Familjari i tij dhe njëkohësisht kreu i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në një deklaratë për televizionin “Alsat” kërkon që Ambasadat e Italisë dhe të Kosovës të veprojnë sipas kërkesave të familjarëve.

Ndërkohë, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup njoftuan se, autopsia e trupave po vazhdon dhe se detajet do t’i publikojë Prokuroria Publike.

Bazuar në të dhënat e MPB-së, aksidenti ka ndodhur 4 minuta para uljes. Me grumbullimin e të gjitha provave do të bëhen të ditura edhe shkaqet e rrëzimit.

Në aksidentin ajror humbën jetën 6 persona. Visar Begaj dhe 5 italianët po udhëtonin me aeroplanin e tyre privat, që për destinacion kishte Prishtinën. Pasagjerët nga Trevizo e Italisë kishin tentuar të uleshin në pistën e Aeroportit të Shkupit për t’u furnizuar me karburant.

Top Channel