BE, Koçijançiç: Ekipi për Asociacionin nuk është formuar ende

08/09/2016 00:00

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Maja Koçijançiç ka hedhur poshtë lajmet se është diskutuar çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut teknik, që po zhvillohet në Bruksel.

Lajmi ishte konfirmuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariç.

Bazuar në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thuhej se emërimi i ekipit menaxhues është bërë në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nën mbështetjen e plotë të bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë OSBE-në, dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian do të koordinojmë këtë proces në mënyrë të përshtatshme dhe do të informojnë rregullisht opinionin publik për të gjitha aktivitetet.

Themelimi i këtij ekipi, thuhej se bazohej në marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Por Koçijançiç ka thënë se, BE-ja do të takojë stafin menaxherial të ekipit dhe palë të tjera të interesuara nga Kosova, në një të ardhme, në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Në lidhje me lajmet e sotme në mediet serbe, që kanë të bëjnë me vizitën e stafit menaxherial të ekipit në Bruksel, dua të shprehem si në vazhdim: Asociacioni nuk ishte në agjendën e bisedimeve sot, as gjatë kësaj jave. BE-ja do të takojë stafin menaxherial të ekipit dhe palë të tjera të interesuara nga Kosova në një të ardhme, në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që do të diskutohet në Bruksel”, ka thënë Maja Koçijançiç.

Top Channel