Demarkacioni, Beogradi mbron “Listën Serbe”: Fajtor koalicioni PDK-LDK

06/09/2016 00:00

Qeveria e Serbisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Isa Mustafa, se deputetët e Listës “Srpska” ishin “fajtorë” për mosratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, në seancën e 1 shtatorit.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila udhëhiqet nga Marko Gjuriç, në një përgjigje për “Indeksonline” thotë se nuk ndërhyn drejtpërdrejt në vendimet e “Listës Serbe”, e megjithatë sipas tyre, Beogradi nuk e imponon vullnetin politik të përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë.

Më tej, në reagimin e kësaj zyre thuhet se, çështja e kufijve të Republikës së Serbisë ka qenë gjithmonë e njëjtë dhe e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Serbisë.

“Vendimi i Listës Serbe për të mos marrë pjesë në seancën parlamentare në Prishtinë është e kushtëzuar nga mungesa e dialogut e zyrtarëve shqiptarë me përfaqësuesit serbë, mungesa e përmbushjes së dispozitave të marrëveshjes së koalicionit dhe mungesa e marrëdhënieve normale, gjatë të cilave nuk do të kenë provokimet e përditshme të Prishtinës ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb në krahinë”, thuhet në reagimin e dërguar për “Indeksonline”.

Sipas tyre, politikanët shqiptarë nuk do të duhej të fshihen prapa deputetëve e “Listës Serbe” dhe të zhvendosin përgjegjësinë në mënyrë frikacake për dështimet e tyre, apo politikën e paaftë dhe të papërgjegjshme në një grup të vogël të deputetëve të komunitetit serb të përbërë nga 10 njerëz, që është më pak se 10 për qind e numrit total të deputetëve.

“Në vend të kësaj, ata duhet të ulen me këta njerëz dhe të përmbushin atë që nuk kanë përmbushur, por janë zotuar”, shpjegon Zyra për Kosovën në Qeverinë e Aleksandër Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA