Demarkacioni hiqet nga rendi i ditës; Mustafa: S’ka kushte për votim

01/09/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka lajmëruar heqjen e votimit të Demarkacionit me Malin e Zi nga rendi i ditës.

“Sot nuk janë kushtet për votim. Nuk është normale ta diskutojmë këtë në kushte të pafavorshme. Do të mundohemi të arrijmë një qëndrim të përbashkët”, ka deklaruar Mustafa.

Kuvendi i Kosovës nisi punimet në një moment kur përpara selisë së tij po protestohej kundër marrëveshjes. Tensionet nuk munguan dhe masat e sigurisë në ndërtesën e Kuvendit ishin tepër të larta për të parandaluar incidentet me gaz lotësjellës, sikurse u verifikua me rastin e Gjykatës Speciale.

Kështu, agjentët e sigurisë së Kuvendit arrestuan deputeten e lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj Bujupi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet i fshehur mes flokëve një spraj.

Më pas erdhi arrestimi i deputetes tjetër Aida Dërguti, e cila u ndalua në tualetin e Kuvendit. Sipas raportimeve të mediave kosovare, Dërguti po nxirrte një bombol gazi të fshehur në trup.

Në prag të seancës, deputeti i AAK, Daut Haradinaj mbajti një deklaratë për mediat. “Deputetët e AAK do të votojnë kundër demarkacionit”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca deklaroi se, kjo është një marrëveshje në dëm të Kosovës.

“Kosova humb resurse natyrore, ujore e tokësore. Kosova nuk mund të humbi tokë. Nuk ka shtet në botë që ekziston pa territor dhe siç thotë kushtetuta e Kosovës, populli ushtron sovranitetin përmes deputetëve. Ndaj ne do ta mbrojmë këtë sovranitet me atë që kemi në dorë”, tha Konjufca. Ai shtoi më tej se ndaj klasës politike po ushtrohet i njëjti presion sikurse me gjykatën speciale.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe deklaroi më herët se deputetët e kësaj partie nuk do të ishin në sallë për arsye sigurie. Mungesa e tyre pamundëson ratifikimin e marrëveshjes.

Top Channel