Demarkacioni me Malin e Zi, të enjten votimi në Kuvend

31/08/2016 00:00

Demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi do të votohet për herë të parë. Ky është kushti që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Por kriza politike ndër muaj dhe kundërshtimi i opozitës e gjejnë Prishtinën edhe një herë përballë tensioneve. Në Kuvend do të bëhet votimi, ndërsa në shesh do të ketë protesta.

Gjashtë aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar pas sulmeve të fundit ndaj institucioneve. Familjaret e tyre kërkuan lirimin në një konferencë para selisë së Policisë së Kosovës.

Vetëvendosja nga ana tjetër duket e gatshme dhe e bindur se demarkacioni nuk do të kalojë, pasi protesta e tyre do ta ndalojë atë. Mes mënyrës paqësore dhe ndjenjave të përziera, deputeti Albin Kurti tha se ky është fundi.

“Do të jetë një protestë masive dhe natyrisht që me vendosmërinë tonë, të cilën do ta shihni nesër, ne do të arrijmë ta ndalim demarkacionin”, deklaroi Kurti.

Institucionet e Kosovës kanë vetëm një plan: votimin e kufirit. Në emër të qeverisë së Kosoves, Bajram Gecaj, zv.ministër i Pushtetit Lokal, thotë se opozita kërkon pushtetin, ndërsa nënvizon se kufiri është i saktë.

“Të gjitha këto procese do të ndalohen apo pezullohen nëse ne nuk e bëjmë këtë, sepse tregojmë që jemi shtet joserioz. Kufiri me Malin e Zi duhet të përcaktohet”, deklaron Gecaj.

Top Channel