Ndeshja me Finlandën, Kosova publikon listën e futbollistëve të grumbulluar

30/08/2016 00:00

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, gjatë një konference të mbajtur ditën e martë ka publikuar listën e futbollistëve që janë të gatshëm të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës, si dhe një listë futbollistësh që janë në pritje për t’iu bashkuar kombëtares kosovare së shpejti.

Lista e publikuar është për ndeshjen e parë që Kosova do të luajë kundër Finlandës më 5 shtator, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin “Rusi 2018”.

Kryetari i Federatës së Futbollit Fadil Vokrri tha se, kjo është një ditë e pritur për vite të tëra dhe shpreson se lojtarët do ta përfaqësojnë përfaqësuesen e Kosovës në mënyrë dinjitoze.

“Në një ditë të shumëpritur prej vitesh të tëra, si nga ju edhe nga ne, sot jemi të gjithë të bashkuar e po përgatisim ndeshjen e parë të kualifikueseve për Botërorin ‘Rusi 2018’. Shpresoj që të gjithë ata lojtarë që do të fitojnë të drejtën të na përfaqësojnë, ta bëjnë këtë në mënyrë dinjitoze dhe iu dëshiroj sukses”, tha Fadil Vokrri.

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku tha se fokusi i këtij projekti është afatgjatë dhe shumë interesant, pasi pjesë e tij janë lojtarë shumë të rëndësishëm.

“Edhe pse ndeshja e parë është me Finlandën, projekti e fokusi ynë është afatgjatë. Kemi filluar të krijojmë një projekt shumë interesant, me lojtarët me potencial të madh, të cilët kanë filluar të bëhen shumë të rëndësishëm në ekipet e tyre. Konkurrenca është rritur jashtëzakonisht në disa pozicione dhe mosha mesatare e të gjithë lojtarëve është shumë premtuese”, tha Bunjaku.

Ndërsa mesfushori që luan me një ekip në Norvegji, Valon Berisha tha se është shumë i gëzuar që ka vendosur të luajë për Kosovën. Ai tha se ky ishte një vendim shumë i vështirë, pasi duhej marrë jo vetëm mes Norvegjisë dhe Kosovës, por edhe mes tij dhe të vëllait, Veton Berisha. Mirëpo, ai tha se e ndjen veten shqiptar dhe është shumë i lumtur që do të përfaqësojë Kosovën.

“Faleminderit Norvegjisë që më ka respektuar në vendimin tim. Norvegjia ka qenë ajo që më ka ndihmuar në hapat e parë në futboll, por kam pasur një mirëkuptim prej trajnerit dhe ekipit. Lojtarët e kanë kuptuar ndjenjën time, unë e ndiej veten shqiptar. Jemi dy vëllezër, e njëri ka vendosur të luajë për Kosovën, tjetri për Norvegjinë” , tha Berisha.

FFK publikoi dy lista, ata që janë të gatshëm dhe ata që janë në pritje nga momenti në moment.

Të gatshëm: Granit Kolshi, Flamur Neziri, Fanol Përdedaj, Leart Paçarada, Avni Pepa, Alban Pnishi, Bajram Jashanica, Ardrian Ismajli, Benjamin Kololli, Eroll Zejnullahu, Hekuran Kryeziu, Bernard Berisha, Besar Halimi, Bersant Celina, Valmir Sulejmani.

Futbollistët në pritje: Samir Ujkani, Amir Rrahmani, Enis Alushi, Alban Meha, Milot Rashica, Herolind Shala, Albert Bunjaku, Vedat Muriqi, Valon Berisha, Sinan Bytyçi.

Top Channel