Domingo, në një koncert të paprecedentë

29/08/2016 00:00

Tenori i famshëm spanjoll, Placido Domingo zgjodhi një platformë lundruese në formën e një gjetheje gjigante në lumin “Rio Negro” të xhunglës së Amazonës, për një koncert të paprecedentë të tij në krah të këngëtares tepër të kuotuar braziliane, Ivete Sangalo.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje të rrallë ishte rritja e ndërgjegjësimit mbi nevojën për mbrojtjen e pyjeve. Transmetimi i drejtpërdrejtë i koncertit “pluskues” synonte inkurajimin e donacioneve për zonat e dëmtuara pyjore të Amazonës.

Për Domingon, ideja e shfaqjes në vetvete ishte të tregohej se kontributet e gjithsecilit prej nesh, në fund sjellin ndryshim.

“Të gjithë duhet ta kemi në ndërgjegje dëshirën për ta bërë botën më të mirë, e çdokush prej nesh mund të bëjë diçka, sado të vogël. Nuk është e vërtetë se ti nuk ke në dorë të bësh asgjë. Ajo përpjekja e vogël, ajo pika e ujit, në fund bën një oqean. Një grimcë rëre bën shkretëtirën, ndaj të japim të gjithë ndihmesën tonë, sepse është vërtet e rëndësishme”, tha Placido Domingo, tenor.

Nismëtarë të koncertit ishin organizatorët e festivalit muzikor “Rock in Rio”. Ata janë angazhuar gjithashtu të mbjellin një milion pemë në Amazonë, falë edhe donacioneve që mund të mbërrijnë nga drejtime të ndryshme.

Top Channel