Lirohet i akuzuari i Sharrës, opozita akuzon sërish Veliajn

25/08/2016 00:00

Gjykata e Apelit në Tiranë i ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie përgjegjësit të firmës 3R në landfillin e Sharrës, Besnik Braha.

Ai u arrestua pas gjetjes së 17-vjeçarit të vdekur, Ardit Gjoklaj, në vendgrumbullimin e plehrave. Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur për të arrest me burg. Nga këqyrja e trupit të adoleshentit, dyshohet se ai është shtypur nga makineritë që punojnë në landfillin e Sharrës.

Për këtë çështje nga selia e Partisë Demokratike, Grida Duma i kërkoi Prokurorisë të nisë hetime edhe për Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

“Ai padyshim e di shumë mirë që është përgjegjësi kryesorë, jo vetëm që administron landfillin, sepse është biznesi i tij, por edhe sepse garantoi publikisht njerëzit për ligjshmëri. Çfarë po pret prokuroria që të marrë në ndjekje Erionin? Përse Erioni qëndron mbi ligjin?”, deklaroi Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma.

Akuzat e PD-së, Bashkia e Tiranës i ka konsideruar “sulme politike”. Në një deklaratë të sajën thuhet se “çdo ofrues shërbimesh në qytet përgjigjet përpara ligjit për çdo shkelje të këtyre rregullave”.

“Ndaj, thuhet më tej në deklaratë, Bashkia e Tiranës do të ofrojë të gjithë ndihmën për një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje nga organet ligjzbatuese për të vënë përpara përgjegjësisë cilindo kontraktor që nuk ka respektuar këto rregulla”.

Top Channel