Ndalohen 126 shqiptarë në Barcelonë, donin të hynin ilegalisht në Britani

19/08/2016 00:00

Udhëtonin me pasaporta false greke dhe italiane drejt Britanisë së Madhe, por 126 shqiptarët janë ndaluar në Barcelonë, duke qenë numri më madh i ndaluar në një tentative nga autoritetet kufitare.

Dokumentet false, sipas gazetës britanike “Daily Star”, ishin prodhuar në Irlandë dhe u ishin dërguar emigrantëve në Milano nga trafikantët. 126 shqiptarët po përdornin aeroportin e Barcelonës në këtë rast si aeroport tranzit drejt aeroporteve britanike, fillimisht duke përdorur pasaporta shqiptare brenda zonës së Shengenit dhe më pas, do përdornin dokumentet false për të udhëtuar drejt Britanisë dhe Irlandës.

Në total, policia ka kapur 172 dokumente false italiane, përfshi karta identitetit italiane, pasaporta dhe pantenta, si dhe 27 dokumente greke.

Britania e Madhe apo edhe Republika e Irlandës nga ku me lehtë kalohet në Irlandën e Veriut si pjesë e Britanisë, mbesin një destinacion i preferuar i shumë emigrantëve shqiptarë, edhe pse çmimet që u paguhen grupeve kriminale janë të kripura.

Një pjesë e madhe syresh përdorin dokumente false të vendeve të BE-së, kryesisht greke e italiane, por edhe rumune e bullgare, për të anashkaluar kontrollet kufitare si dhe fluturimet kryesisht të linjave ajrore low-cost, si “Ryain Air”, “Easyjet”, e ndonjë tjetër në destinacionet e shumta në vendet europiane. Autoritetet britanike kanë pasur raste kur kanë gjobitur edhe këto linja ajrore me të cilat kanë udhëtuar emigrantë ilegalë.

Top Channel