Konservatori Tchaikovksi këtë vit feston 150 vjetorin e themelimit përmes një festivali veror, i cili po mbahet ne Moske nga data 4 deri në datën 29 gusht. Në këtë ngjarje të rëndësishme muzikore mbrëmja e 8 gushtit i është kushtuar kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi.

“Një ngjarje e madhe që konservatori Tchaikovsky këtë vit feston 150 vjetorin e tij. Një ngjarje e rëndësishme për muzikën ne mbarë botën. Mbeta i befasuar kur para koncertit regjistruan një interviste timen për një dokumentar dhe aty nënvizova se edhe konservatori ynë është ndërtuar nga studentët e konservatorit Tchaikovksi”, shprehet kompozitori Aleksandër Peçi.

Lidhjet e tij me Moskën janë të hershme, që kur nisi studimet, ndikim të cilin e ka reflektuar edhe në 835 partiturat e botuara, ndërsa sot, me asimilimin e teknikave moderne, Peçi ka krijuar edhe fryte të reja muzikore.

“Konservatori ynë u krijua me literaturën, didaktiken dhe librat e konservatorit Tchaikovksit, ndërsa sot kam gjuhën time, rrugën time e pas 40 vitesh kërkime mbi polifoninë dhe kabanë shqiptare, kam krijuar rrymën time, atë që e quaj kabaizëm”.

Nga Moska, Aleksandër Peçi sjell edhe një tjetër lajm të mirë: regjisori Yuriy Arabov do të xhirojë një film ruso-shqiptar me skenar bazuar në motivet e shkrimtarit Ismail Kadare. Filmi pasqyron dramën e grave ruse të martuara me burra shqiptarë, ndërsa Peçi shpreson se sonata e tij për violinë, të përfshihet në këtë projekt.

Top Channel