
Ish-udhëheqësi kuban, Fidel Castro bëri një dalje të rallë publike për festimet e 90-vjetorit të tij. Ai mori pjesë në një gala në teatrin “Karl Marks”, në Havana, përkrah vëllait të tij, presidentit Raul Castro, dhe aleatit venezuelian, presidentit Nicolas Maduro.
Fidel Castro, i cili nuk kishte dalë në publik që prej muajit prill, dukej i brishtë dhe qëndroi i ulur gjatë të gjithë kohës. Por kjo nuk e ndaloi atë, që pak orë para shfaqjes në teatër, të shkruante një artikull kundër presidentit amerikan Barak Obama.
Castro kritikoi Obamën, që nuk iu kërkoi falje banorëve të Hiroshimës për bombën atomike, të hedhur në këtë qytet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kreu i Shtëpisë së Bardhë vizitoi Hiroshimën në maj dhe – sipas Castros, – gaboi që nuk e shfrytëzoi rastin për të kërkuar ndjesë.
Raportet mes SHBA-ve dhe Kubës janë përmirësuar nën drejtimin e Raul Castros, por pas vizitës së presidentit amerikan Obama në Kubë në muajin mars, Fidel Castro tha se ata nuk kanë nevojë që “perandoria” t’i ofrojë ndonjë gjë.
Evenimenti në teatrin “Karl Marks” në Havana ishte përqëndruar në momentet kyçe të jetës së Fidelit, përfshirë tentativën për pushtim të mbështetur nga CIA në vitin 1961. Festa të mëdha publike u zhvilluan gjithashtu në kryeqytet, të ndjekura nga mijëra njerëz që festonin ditëlindjen e 90 të kreut historik. Ky i fundit mendohet se është tërhequr plotësisht nga jeta publike dhe ka shumë pak ndikim mbi çështjet politike në Kubë.
Top Channel