Kosovë, “arrest shtëpie” 30-ditor për Çaushin e Konjufcën. VV: Rezistenca nuk ndalet

11/08/2016 00:00

Vetëm një ditë pasi hodhën gaz lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, si dhe shefit të grupit parlamentar, Glauk Konjufca, iu është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie prej 30 ditësh”. Gazi lotsjellës u kthye sërish në ambientet e Kuvendit kosovar, edhe këtë herë për shkak të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e cila kundërshtohet nga partitë opozitare.

Megjithatë, lidhur me këtë dënim ka reaguar menjëherë Lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik opozitar që ka thënë se ky dënim është i padrejtë dhe i papranueshëm.

“Mbajtja në arrest shtëpie e deputetëve që mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës dhe lënia në liri e kriminelëve, që prej vitesh shkatërruan e po shkatërrojnë shtetin tonë, është pasqyra më e mirë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në reagimin e VV-së.

Ja reagimi më i plotë:

Dënimi me 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Driton Çaushi dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Glauk Konjufca, është veprim në vazhdën e aktivitetit autoritar të Qeverisë së Kosovës.
Si e tillë, kjo masë e caktuar ndaj deputetëve Çaushi e Konjufca është e padrejtë dhe e papranueshme, teksa në anën tjetër është tregues i panikut që e ka kapluar Qeverinë, e cila nuk po arrinë ta shtyejë përpara faljen e tokës së Kosovës.
Mbajtja në arrest shtëpiak e deputetëve që mbrojtën integritetin dhe sovranitetin e Republikës dhe lënia në liri e kriminelëve që me vite shkatërruan e po shkatërrojnë shtetin tonë, është pasqyra më e mirë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë.
Këta pushtetarë që janë demaskuar me zë e figurë, që me çdo kusht duan t’i avancojnë përpara projektet e tyre antishtetrore e kriminale, me asnjë kusht nuk do të tolerohen që ta copëtojnë Republikën, herë duke falur territor e herë duke instaluar organizime sipas planeve shoviniste të Serbisë.
Prandaj, këtyre kriminelëve që janë instaluar në krye të shtetit me metoda kriminale, siç i është bërë me dije edhe më herët, iu përseritet prapë se burgosja dhe maltretimi nuk e ndalë dot përpjekjen për mbrojtje të Republikës. Rezistenca ndaj këtij pushteti do të jetë veç me e fuqishme dhe e pathyeshme”.

Top Channel