Tensione në kufirin Kosovë-Mali i Zi, policia malazeze pengon banorët

10/08/2016 00:00

Policia e Malit të Zi ka penguar banorët e fshatrave të Deçanit dhe Pejës, të cilët ishin nisur këtë të mërkurë për te maja e Kullës së Zhlepit dhe bjeshkët e tjera të fshatrave kufitare. Policia ka penguar banorët me pretendimin se ajo tokë është e Malit të Zi, ndërkohë protestuesit kanë bllokuar rrugën, duke shkaktuar kaos në trafik.

Më herët u raportua se Këshilli i fshatit Llukë e Epërme, në Deçan, kishte ftuar banorët e këtij fshati si dhe ata të fshatrave përreth, që në mënyrë të organizuar dhe bashkërisht të shkonin në majën e Zhlepit, në kufirin me Malin e Zi.

Maja e Zhlepit dhe bjeshkët e tjera të fshatrave të Deçanit dhe Pejës konsiderohen pronë e Kosovës, por falë marrëveshjes së re të demarkacionit me Malin e Zi ka dyshime se një pjesë e këtyre mund t’i kalojnë Malit të Zi.

Ja njoftimi i plotë i këshillit:

“Këshilli i fshatit Llukë e Epërme fton banorët që të mërkurën, më 10 gusht, të jenë të pranishëm në organizimin e përbashkët për të shkaur në mënyrë të organizuar në bjeshkët tona, në Zhlep. Ky organizim bëhet nga Këshilli i fshatit Llukë e Epërme dhe janë ftuar të gjithë banorët e këtij fshati. Qëllimi i këtij organizimi është bashkimi ynë, vizita në bjeshkën tonë dhe kundërshtimi ynë që kjo pjesë e Kosovës të mos kalojë në pronësi të Malit të Zi. Takohemi në orën 11:00 në Zhlep (te Kulla). Me respekt, Këshilli i fshatit Llukë e Epërme”.

Top Channel