Vërshimet në Maqedoni, Qeveria e Kosovës shprehet e gatshme të ndihmojë

07/08/2016 00:00

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka përcjellur me shqetësim dhe dhimbje të madhe ngjarjet e shkaktuara nga moti i keq orët e fundit në Maqedoni.

Qeveria e Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë, si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj, Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar.

Qeveria e Kosovës, po ashtu thekson gatishmërinë për të dërguar në ndihmë njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje.

Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë reaguar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Thaçi ka thënë se është i tronditur nga humbjet e jetëve dhe pasojat e vërshimeve në Maqedoni një natë më parë.

“Jam i tronditur nga humbjet e jetëve nga pasojat e rrebeshit të madh të shiut në Maqedoni. Ngushëllime të gjithëve që janë prekur. Institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ndërsa kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka ngushëlluar familjet e viktimave nga vërshimet në rrethinën e Shkupit.

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave nga vërshimet në rrethinën e Shkupit. Në këto çaste të dhimbjes së thellë, ku ende disa qytetarë konsiderohen të zhdukur, populli i Kosovës dhe institucionet e saj janë me familjet e viktimave. Jam i bindur se fuqia e solidaritetit,V ju jep forcë ta përballojnë këtë fatkeqësi dhe do të riktheni shpejt jetën në vendbanimet e shkatërruara”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Top Channel