O’Connell: Britania njeh kufijtë e Kosovës, sipas planit “Ahtisaari”

03/08/2016 00:00

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se procesi i demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është çështje dypalëshe.

“Kosova është shtet sovran. Ju vendosni për veten tuaj. Por unë besoj fuqishëm që vendimi juaj duhet të merret në bazë të fakteve. Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar në planin e Ahtisaarit, bazuar në kufijtë e vjetër të Kosovës. Ajo ka qenë baza për Pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj, si nga Mbretëria e Bashkuar, ashtu dhe nga partnerët më të qëndrueshëm ndërkombëtarë ditën e nesërme. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo ditë historike”, ka thënë O’Connell.

Duke e përkrahur idenë e diskutimit publik, ambasadori anglez, duke e quajtur vetën ‘mik i Kosovës’, ka dhënë disa këshilla.

“Si mik i Kosovës, unë kam disa këshilla. Ndoshta unë jam idealist, mirëpo unë besoj se vendimet politike duhet të merren në bazë të fakteve, jo në bazë të thashethemeve, propagandës, ose asaj që ju dëshironi të jetë e vërtetë. Nacionalizmi mund të jetë joshës, posaçërisht atëherë kur ndjejmë se kombi po rrezikohet dhe ne duhet ta mbrojmë atë. Problemi është që, edhe nëse nuk ka rrezik, nacionalizmi gjithmonë e krijon një, ose armiq nga jashtë, ose nga brenda. Ju e dini këtë, ashtu siç e di edhe unë. Ne të gjithë e kemi parë shumë herë këtë. Por në realitet Kosova ka shumë miq. Partnerët e Kosovës dëshirojnë ta shohin Kosovën duke arritur suksese si një shtet sovran, me besim në vete dhe në marrëdhëniet me fqinjët e partnerët e saj. Interesi juaj është interesi ynë. Ne nuk jemi duke iu imponuar asgjë juve, e padyshim nuk jemi duke kërkuar nga Kosova që të falë territorin e saj”, shkruan më tej O’Connell.

Diplomati i Britanisë së Madhe në Kosovë, në fund të statusit të tij në “Facebook” ka thënë se vendimi i Kosovës në lidhje me kufirin do të thotë shumë për besimin e Kosovës te miqtë e saj; për rolin e fakteve në debatin politik dhe në vendimmarrjen e Kosovës; për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët, të cilët e kanë njohur pavarësinë atëherë kur ka qenë e vështirë për ta njohur. Ky është një vendim i rëndësishëm, dhe ju duhet ta merrni këtë vendim vetë”.

Top Channel