“Vetingu”, si realizohet. Zbardhen formularët e vetëdeklarimit

27/07/2016 00:00

Projektligji i “Vetingu”-t që rivlerëson gjyqtarët dhe prokurorët, njësoj si ligji i dekriminalizimit, nuk mjaftohet vetëm me rregullat e përcaktuara në ligj, që synojnë të nxjerrin jashtë sistemit personat e korruptuar.

Projektligjit i bashkëngjiten 4 formularë dhe deklarata personale që duhet t’i plotësojë secili prej njerëzve që do të vendosin të kontrollohen për të qenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.

I pari është formuari për deklarimin e pasurisë, që autorizon institucionet vendasve dhe vëzhguesit të verifikojnë çdo të dhënë pasurie të vetë personit dhe të familjarëve të tij, që përcaktohen me ligj.

Në rast se rezultojnë të dhëna të rreme, gjyqtari apo prokurori përkatës ndiqet penalisht. Formulari tjetër është për plotësimin e të dhënave për kontrollin e figurës, që përbën një pikë kyçe të “Vetingu”-t dhe që synon të përjashtojë nga sistemi njerëz të lidhur apo nën ndikim të personave të përfshirë në krimin e organizuar.

Formulari i tretë lidhet me aftësinë profesionale, nëpërmjet të cilit gjyqtari apo prokurori jep të dhëna për ecurinë e çështjeve që ka patur në ngarkim 3 vitet e fundit.  Ka edhe një dokument tjetër.

Por, ai nuk është i detyrueshëm për të gjithë njerëzit që do të duan të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Kjo është një deklaratë që do ta plotësojnë kandidatët për 21 vendet e organeve që do të bëjnë “Vetingu”-n e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deklarata praktikisht dorëzon privatësinë e nënshkruesit tek byroja kombëtare e hetimit. Në rast se ai zgjidhet, gjatë ushtrimit të detyrës do të pranojë të pajiset me një celular të veçante, një adresë elektronike të veçantë, të cilat do të jenë nën kontroll në çdo moment.

Top Channel