PD, Duma: Fakte të reja për foton 80 mijë dollarëshe të Ramës

26/07/2016 00:00

Në një deklaratë për shtyp të pasdites së të martës, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma ka vijuar denoncimin e asaj që e quajnë si skandali 80 mijë dollarësh i fotos së kryeministrit Rama me Presidentin amerikan, Barack Obama.

Në këtë dalje të fundit, Duma ka bërë të ditur se mediet më të rëndësishme të botës kanë nxjerrë fakte të reja për atë që në selinë blu e quajnë krim federal. E më konkretisht, janë dy faktet e reja.

“Një biznesmen grek, William Argeros, me qëndrim në Kaliforni, ka ndihmuar në kalimin e 80 mijë dollarëve te Bilali i Ramës, i cili siguroi biletën për shefin e rilindjes. Dhe fakti tjetër është se mediet e Uashingtonit dhe Brukselit ka vënë tashmë emrin Edi Rama, si burimi i 80 mijë dollarëve. Pra shtetasi i huaj numër dy, siç e cilëson FBI, ka emër dhe ai është Edi Rama”, ka thënë Duma.

Sipas asaj që ka thënë ajo, qendrat më të rëndësishme të opinionit publik në Bruksel e Uashington e tregojnë me gisht. E pavarësisht se kryeministri del hapur, siç thotë sekretarja demokrate e Marrëdhënieve me Publikun, si financues i një krimi të rëndë federal, Edi Rama sërish hesht.

“Nuk jep asnjë shpjegim, se ku i mori 80 mijë dollarët që pagoi për foton me Obamën. Cili është burimi? A janë parà të ligjshme, apo janë parà krimi, droge apo trafiku, të ngjashme me ato që përdori për të ardhur në pushtet? Në vend që të bëjë transparencë, edhe sot ka zgjedhur sulmin ndaj opozitës, sulmin ndaj institucioneve”, vijon më tej Duma.

Grida Duma sqaron më tej edhe atë që e quan si rritje të presionit ndaj institucioneve, më konkretisht ndaj prokurorisë.

“Ka rritur presionin ndaj Prokurorisë, pasi prej një muaji aty gjendet një kallëzim penal i Partisë Demokratike për 80 mijë dollarët e fotos së financuar me parà të dyshimta. Edi Rama ka konsumuar të paktën 3 vepra: ndikim të paligjshëm, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim të parave. Është kjo arsyeja, që ai donte të kapte patjetër drejtësinë. Krime si këto, që Rama i ka kryer çdo javë në këto 3 vite, ishin motivi i tij për të nënshtruar prokurorët e gjykatësit”, u shpreh Duma.

Por, siç deklaroi ajo, “kryeministri Rama dështoi, sikurse dështoi edhe përpjekja e tij për t’u bërë i paprekshëm, për të mbyllur dosjet. Shqipëria do të ketë drejtësi të standardeve europiane, e ky do të jetë fundi i Ramës dhe i sundimit të tij të korruptuar e kriminal”.

Top Channel