Festivali shumëkulturor i Beratit

24/07/2016 00:00

Festivali shumëkulturor i Beratit përfundoi pas tri ditësh të mbushura me muzikë, koncerte, panaire, ekspozita e të ftuar. Ky qytet u bë epiqendra e aktiviteteve kulturore dhe artistike në vend, nën moton “Promovo Shqipërinë tënde”.

Fillimin, ky festival e pati me promovim e Panairin të Librit, Panairit të Artizanit përgjatë pedonales, ndërkohë që grupi i njohur “Asgjë sikur dielli” ka performuar deri në orët e vona të natës. Ndërsa koncerti i radhës vijoi me Marsela Çibukajn.

“Mendoj se ka ende shumë punë dhe aktivitete për të ardhmen, por përgjithësisht jam shumë e lumtur që shkoi kështu. Vërtet që Marsela dje ka qenë fantastike, mendoj se skenografia i ka qëndruar shumë mirë dhe publiku ka qenë tejet fantastik”, thotë Julia Sinanaj, nga organizata “Njerëz dhe ide”.

“Unë vij rrallë në Berat, por sa herë që kam ardhur e kam bërë me shumë kënaqësi. Jo vetëm për bukurinë e këtij qyteti, por edhe për dashamirësinë që tregon publiku. Ne si artistë kemi mundësi që të kontribuojmë në vlerësimin e këtij vendi që edhe vet është i mrekullueshëm”, thotë Marsela Çibukaj, këngëtare.

Fundjava ka kulmuar me shfaqjen e “Portokalli”, ndërsa aktivitete të tjera kulturore në këtë qytet do të vijojnë deri në fund të verës, duke e shndërruar qytetin e mbrojtur nga “UNESCO” në destinacion të lakmuar turistik.

Për të tretin vit, organizata “Njerëz dhe Ide” mundëson organizimin e këtij festivali, falë projektit të mbështetur nga Ministria e Kulturës, “BID Berat”, Bashkia e qytetit dhe një sërë donatorësh të tjerë.

Top Channel