Replika Meta-Xhafaj, deputeti i PS: Dashuria iku, ruaj qetësinë

21/07/2016 00:00

Në Konferencën e Kryetarëve, mëngjesin e së enjtes, Ilir Meta dhe Fatmir Xhafaj shkëmbyen replika për shkak të mos mbledhjes së një dite më parë të Komisonit të Reformës në Drejtësi.

Ilir Meta: Zoti Xhafaj, ju lutem kam një pyetje; dje kur u bë Konferenca e Kryetarëve, përse nuk e ke mbledhur Komisionin siç të kam thënë, për të rakorduar çdo gjë për seancën e sotme?

Fatmir Xhafaj: E para njëherë, ule zërin…

Ilir Meta: Jo, nuk e mbaj ulët zërin sepse nuk dua të toleroj situata të tilla.

Fatmir Xhafaj: Kam tre vjet që dëgjoj një parrullë tënden, “me qetësi dhe dashuri”. Dashuria ka ikur, të paktën të rrijë qetësia. Unë jam kryetar Komisioni këtu dhe kam shumë respekt për institucionin e kryetarit të Kuvendit, por kryetari i Kuvendit duhet të ketë më shumë respekt për Kuvendin dhe institucionet që ka Kuvendi. E para njëherë, unë nuk marr urdhra dhe ju nuk besoj se keni menduar që do të më jepni urdhër që të mbledh Komisionin. Kam dëgjuar dhe dëgjoj me vëmendje cilindo që është ulur në karrigen e nderuar të kryetarit të Kuvendit për çështje që lidhen me mirëfunksionimin e punës të Kuvendit dhe Komisionit dhe kjo është pjesë edhe e formimit tim ligjor, institucional dhe politik dhe ju këtë e dini mirë. Unë Komisionin e kam mbledhur rregullisht gjatë gjithë kësaj kohe në respekt të asaj që ka vendosur Kuvendi, të detyrës dhe përgjegjësisë që më ka dhënë Kuvendi mua dhe kolegëve të mi. Komisionin e kam mbledhur rregullisht në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Ajo që ka bojkotuar Komisionin rregullisht ka qenë opozita zoti Kryetari i Kuvendit dhe unë do të kisha dëshiruar që gjatë gjithë kësaj kohe, siç po më shtroni pyetjen sot, të kishit kërkuar gjithë ato ditë, në gjithë këtë proces të informoheshit. Biles-biles mendoj që do të duhej të vinit këtu dhe ta zgjidhnit atë problem me opozitën, që opozita të ishte e pranishme edhe në gjera që nuk kanë patur lidhje fare me pretendimet e ngritura prej saj. Sa i përket çështjes që po diskutohet, dëgjova kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me mbledhjen e Komisionit. Komisioni, në detyrim të përgatitjes së seancës është mbledhur dy ditë para, afati maksimal edhe sipas rregullores dhe sipas normalitetit të punës. Nga ky moment, Komisioni e ka të pamundur që të mblidhet në kushte normale, kur bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese, por në kushte të tilla, do të duhej të mblidhej.

Top Channel