Kuvend, Meta: Jo reformë pa konsensus

21/07/2016 00:00

Megjithëse Konferenca e Kryetarëve dështoi në gjetjen e një marrëveshjeje për të shqyrtuar në seancë plenare reformën në drejtësi, Kuvendi nisi punimet dhe ai që mori fjalën i pari ishte kryetari Ilir Meta.

Meta i mëshoi fort fjalës “konsensus”.

“Konsensusi është i rëndësishëm sepse kjo është Kushtetutë e re e Shqipërisë, që nuk duhet të votohet në mënyrë të njëanshme, sepse ka të bëjë me Shqipërinë në 30 vitet që vijnë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe duhet të përmbyllet me sukses”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se kjo reformë nuk mund të miratohet pa opozitën dhe shtoi se për këtë Lulzim Basha është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane.

Megjithatë, kjo seancë nuk do të mbyllet pa miratimin e reformës në drejtësi, tha Meta.

Ndërkohë, kjo seancë plenare po ndiqet nga afër nga dy aktorët kryesorë ndërkombëtarë të reformës në drejtësi, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin, ndërsa jashtë sallës një grup qytetarësh protestojnë për miratimin e reformës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel