Konferenca e Kryetarëve, Vasili: Nuk mund të votojmë një gjë që s’e kemi miratuar

21/07/2016 00:00

Ka nisur i vrullshëm me zhvillime politike mëngjesi i ditës së sotme. Para nisjes së seancës në Kuvend, është mbledhur Konferenca e Kryetarëve në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Mësohet se palët do të kërkojnë që të mblidhet komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi. Në fjalët e tij kreu i Kuvendit tha se kishte kërkuar mbledhjen e Komisionit për të reflektuar mbi marrëveshjen. Seanca e sotme e Kuvendit duhet të ishte solemne, tha Meta. Kreu i Kuvendit i bëri thirrje të gjitha palëve të jenë të pranishëm në këtë marrëveshje.

Paloka e përshkoi situatën aktuale mbi reformën si shumë të rëndë. “Nuk di se çfarë fjale t’i vë”, tha Paloka.

Meta kërkoi sqarime nga Xhafaj për mosmbledhjen e Komisionit një ditë më parë. Por Xhafaj tha se Komisioni është mbledhur dy ditë përpara në detyrim të përgatitjes së seancës.

“Komisioni nuk mblidhet për të lexuar letrën e komisionerit Hahn. Komisioneri Hahn nuk është marrëveshje, është letër dhe letra duhet të kthehej në marrëveshje. Projekti kushtetues që ne kemi ka aktorë dhe ndërkombëtarët. Duhet të hyjmë në organizata ku rregullat e lojës i përcaktojnë ndërkombëtarët”, tha Xhafaj, i cili shtoi se ajo që e ka bojkotuar rregullisht këtë komision ka qenë opozita.

Mbledhja duhet të kishte një karakter të mirëfilltë procedural. Mbledhja duhet të ishte mbajtur për të mos penguar seancën e sotme në Kuvend.

Ndërsa, kreu i grupit Parlamentar të LSI u shpreh se mbledhja një ditë më parë duhet të ishte mbajtur për të mos penguar seancën e sotme në Kuvend. Mbledhja duhet të kishte një karakter të mirëfilltë procedural, theksoi ai.

Petrit Vasili tha më tej se pika e mbetur pezull, ajo e vetingut, sot nuk mund të shkojë në seancë.

“Negociatorët politikë janë shqiptarë, të huajt asistojnë. Por negociatorët nuk erdhën, nuk duhet të kishim mbetur në këtë situatë që jemi aktualisht, kemi apo jo një draft. Po na kërkohet të votojmë një gjë që nuk është miratuar ende”, tha Vasili.

Mbledhja është duke vazhduar pa praninë e kamerave, ndërsa kreu i Kuvendit tha pak më herët se kjo çështje mund të zgjidhet brenda 2 apo 3 orëve dhe ta përfundojmë sot. “Është një moment historik. Kjo situatë kaq e paqartë duhet të marrë fund brenda këtyre orëve. Besoj të bisedojmë pa kamera”, tha Meta.

Top Channel