Fleckenstein: Vështirë të gjesh fajtor, por PD gjen gjithmonë arsye

21/07/2016 00:00

Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein përpiqet të shpjegojë arsyet e kthesës së beftë qe mori situata në Shqipëri pasi u trumpetua me të madhe arritja e konsensusit mes palëve.

“E dija që dje në darkë dhe kam qenë deri sot në mëngjes në kontakt të vazhdueshëm telefonik me kolegët, me komisionerin Hahn. Nga distanca duket e vështirë të gjykosh, po qe se nuk do të jesh i padrejtë, por duket se të gjithë kanë besuar se kishin një rezultat të përbashkët dhe në fund kuptuan se sërish nuk ishte ajo e përbashkëta ajo që kishin arritur”, thotë Knut për “Deutsche Welle”.

Sipas tij, arsyet ishin fillimisht tek i ashtuquajturi proces i vetingut, çfarë roli kanë vëzhguesit ndërkombëtarë në procesin e përzgjedhjes së atyre që zgjedhin gjykatësit.

“Për këtë u ra dakord e po ashtu edhe për mënyrën se si duhet të veprohet nëse vëzhguesit ndërkombëtarë refuzojnë një kandidaturë. Pasi kjo u zgjidh, të gjithë kishim ndjesinë se pengesat e fundit ishin kaluar, por duket se Partia Demokratike i ka dhënë rëndësi faktit që kjo të aplikohej edhe në proceset e tjera të emërimit”, komenton Fleckenstein.

Por a nuk ishte sqaruar më parë një gjë e tillë?

“Ishte sqaruar fillimisht që duhej të funksiononte në bazë të një sistemi tjetër, por PD-ja ka pasur përshtypjen se e kishte bërë të qartë se kjo që u negociua vlen për të gjitha institucionet. Më duket se është e vështirë të kuptohet për njerëz normalë”, thotë Fleckenstein.

Vëmendja tani, sipas tij, do të përqendrohet tek ajo se çfarë do të arrijë sot Parlamenti. “Është e vështirë të gjesh një fajtor, por bie në sy fakti se opozita, gjithmonë kur është menduar se gjithçka u vu në vijë, sjell diçka të re në tavolinë”, vijon eurodeputeti.

Sa për qëndrimin e LSI-së, ai shprehet se procesi ka qenë kaq i vështirë dhe i mundimshëm.

“Ekspertë europianë, amerikanë, Komisioni i Venecias, të gjithë kanë punuar për nje zgjidhje, ndaj edhe edhe nëse nuk ka dakordësi për ndonjë detaj, ujdia e përgjithshme duhet të jetë kaq e madhe, saqë kush e do këtë reformë vërtet, thotë PO”, shton raportuesi.

Top Channel